E Diel, 1 Nëntor 2026

GJERMANI – Kompania “Hensoldt” do të furnizojë Ukrainën me radarë për mbrojtjen ajrore

PARIS, 16 qershor /ATSH-DPA/ – Kompania gjermane e mbrojtjes “Hensoldt” ka nënshkruar një partneritet strategjik me prodhuesin ukrainas të armëve “Fire Point” gjatë panairit ndërkombëtar të mbrojtjes “Eurosatory” në Paris, me synimin për të forcuar mbrojtjen ajrore të Ukrainës.

Sipas marrëveshjes, “Hensoldt” do të merret me prodhimin, testimin dhe dorëzimin e sistemeve të radarëve për një sistem mbrojtjeje kundër raketave balistike. Kompania do të mbështesë gjithashtu integrimin e këtyre radarëve në sistemin e ri mbrojtës që po zhvillohet nga partneri ukrainas.

Radarët e “Hensoldt” janë të aftë të zbulojnë dhe të ndjekin deri në 1 500 objektiva ajrore njëkohësisht, duke përfshirë raketa, dronë dhe avionë. Kjo teknologji pritet të rrisë ndjeshëm aftësinë e Ukrainës për t’u mbrojtur nga sulmet ajrore ruse.

Megjithëse Ukraina ka arritur rezultate të mira në neutralizimin e dronëve rusë, raketat vazhdojnë të shkaktojnë dëme të konsiderueshme. Sistemet perëndimore si “Patriot” dhe “IRIS-T” nuk janë të mjaftueshme për të mbuluar të gjithë territorin ukrainas, ndërsa raketat për këto sisteme janë shumë të kushtueshme.

Radarët gjermanë do të integrohen në sistemin e mbrojtjes ajrore “Freya”, i zhvilluar nga “Fire Point”. Drejtoresha ekzekutive e kompanisë ukrainase, Iryna Terekh, deklaroi se partneriteti do të mundësojë kalimin nga koncepti në realizimin praktik të një mburoje pan-evropiane kundër raketave balistike.

Nuk janë bërë të ditura ende detaje mbi numrin e radarëve që do të furnizohen apo vlerën financiare të kontratës. “Hensoldt”, me seli në afërsi të Mynihut, është e specializuar në zhvillimin e radarëve, sensorëve, sistemeve optike, elektronikës dhe softuerëve për forcat tokësore, detare, ajrore dhe hapësinore. Në vitin e kaluar, kompania raportoi të ardhura prej 2,46 miliardë eurosh./ /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›