GJERMANI – Merz bën thirrje për taksa të larta ndaj të pasurve

BERLIN, 20 gusht /ATSH/ – Kancelari gjerman Friedrich Merz nuk e ka përjashtuar mundësinë e rritjes së taksave për shtresat më të pasura, si zgjidhje për boshllëqet e vazhdueshme buxhetore të vendit.
Zëdhënësi i qeverisë Steffen Meyer, tha sot në Berlin se prioriteti kryesor është rritja ekonomike.
“Qeveria do të bëjë gjithçka që i shërben këtij objektivi dhe do të shmangë gjithçka që e dëmton”, tha ai, duke theksuar gjithashtu rëndësinë e investimeve në infrastrukturë dhe lehtësimin e barrës për “klasën e mesme punëtore”.
Deklaratat vijnë pas intervistës së fundjavës nga zëvendëskancelari Lars Klingbeil, i cili tha se nuk përjashtohet mundësia e rritjes së taksave për të pasurit për të mbuluar deficitin prej miliarda eurosh në buxhetet e ardhshme.
Propozimet e Klingbeil, i cili është gjithashtu ministër i Financave dhe bashkëkryetar i SPD- së, janë kundërshtuar nga disa politikanë të bllokut konservator të Merz (CDU/CSU).
Sipas marrëveshjes së koalicionit mes CDU-së, CSU-së dhe SPD-së, qeveria është zotuar të ulë tatimin mbi të ardhurat për shtresat e mesme deri në mesin e mandatit.
Megjithatë, një rritje e mundshme e taksave për të pasurit pritet të kthehet në një tjetër pikë tensioni mes partnerëve të koalicionit, të cilët tashmë kanë pasur përplasje mbi çështje të tjera, si zgjedhja e gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese. /Ad.Ab./