E Martë, 3 Nëntor 2026

UASHINGTON – SHBA vendos sanksione ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të tjerë të Gjykatës Ndërkombëtare Penale

UASHINGTON, 20 gusht /ATSH-DPA/- Qeveria amerikane po vendos sanksione ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të tjerë të Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP).

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio tha se ky veprim u ndërmor në përgjigje të kërcënimit të vazhdueshëm të GJNP-së ndaj amerikanëve dhe izraelitëve.

Rubio tha se katër individët ishin të përfshirë në përpjekjet e GJNP-së për të hetuar, arrestuar, ndaluar ose ndjekur penalisht shtetasit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ose Izraelit, pa pëlqimin e asnjërit komb.

Kimberly Prost nga Kanadaja, Nicolas Guillou nga Franca, Nazhat Shameem Khan nga Fixhi dhe Mame Mandiaye Niang nga Senegali u vendosën në listën e sanksioneve.

Rubio akuzoi gjykatën për politizim, abuzim me pushtetin, shpërfillje të sovranitetit kombëtar të SHBA-së dhe tejkalim të paligjshëm gjyqësor, duke e quajtur atë një kërcënim për sigurinë kombëtare – që ka qenë një instrument për drejtësi kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatit të saj të ngushtë, Izraelit.

Si rezultat i sanksioneve, çdo pronë e katër individëve në SHBA do të ngrihet.

Për më tepër, kompanitë amerikane dhe qytetarët amerikanë nuk lejohen më të bëjnë biznes me ta. Nuk u përmend asnjë ndalim hyrjeje.

Më herët, Uashingtoni vendosi sanksione ndaj katër gjyqtarëve të GJND-së në qershor.

Presidenti Donald Trump hapi rrugën për dënime të tilla me një dekret në shkurt, duke akuzuar gjykatën – me seli në Hagë – për abuzim me pushtetin e saj.

Gjykata ka ndjekur penalisht krimet më të rënda, të tilla si gjenocidi, krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit, që nga viti 2002.

Të gjitha shtetet anëtare të BE-së janë anëtare të gjykatës. Megjithatë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Izraeli dhe Rusia nuk janë nënshkruese. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›