E Diel, 1 Nëntor 2026

GJERMANI – NATO nis manovrat ushtarake mes mosmarrëveshjes për Groenlandën

EMDEN, 15 janar /ATSH-DPA/- NATO ka filluar transferimin e rreth 10 000 ushtarëve, pajisjeve dhe automjeteve në Gjermani për organizimin e manovrave të mëdha ushtarake në javët e ardhshme nën hijen e mosmarrëveshjes mbi statusin e Groenlandës.

Dhjetëra automjete që i përkisnin një njësie ushtarake italiane dolën nga një anije mallrash në portin veriperëndimor gjerman të Emdenit sot në mëngjes.

“Kjo shënoi fillimin e operacioneve të dukshme në Gjermani”, sipas Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate (JFC) në qytetin holandez, Brunssum.

Gjermania po pret manovrën, e cila është quajtur “Steadfast Dart 26” dhe është stërvitja më e madhe e NATO-s, këtë vit.

Njëmbëdhjetë shtete anëtare po marrin pjesë në manovra me njësi të ushtrisë, forcave ajrore, marinës, hapësirës dhe kibernetikës.

“Nga sot e tutje, rreth 10 000 ushtarë do të mbërrijnë në Gjermani”, tha gjenerali italian Nicola Mandolesi gjatë shkarkimit të anijes së parë të mallrave në Emden.

“Me këto manovra, NATO po tregon aftësinë për të lëvizur me shpejtësi nga jugu në veri, nga perëndimi në lindje”, shtoi ai.

“Manovrat ushtarake tregojnë se aleanca është “e bashkuar, e aftë dhe e gatshme” për të përmbushur të gjitha llojet e misioneve”, tha gjenerali, duke falënderuar Gjermaninë për koordinimin e stërvitjeve.

Operacionet vijnë mes një përçarjeje të madhe brenda aleancës mbi të ardhmen e territorit kryesisht autonom arktik të Groenlandës, i cili është pjesë e Mbretërisë së Danimarkës.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump kërkon të marrë kontrollin e territorit, ndërsa vendet evropiane që paralajmërojnë se çdo veprim i SHBA-së për të marrë Groenlandën mund të nënkuptojë fundin e NATO-s. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›