E Diel, 1 Nëntor 2026

POLONI – Tusk: Plani i paqes i SHBA-së u refuzua nga Rusia, jo nga Zelensky

VARASHAVË, 15 janar /ATSH-DPA/- Kryeministri polak, Donald Tusk ka kritikuar deklaratën e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, i cili tha se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ishte një pengesë për përfundimin e marrëveshjes së paqes.

“Nuk ishte Zelensky, por Rusia që hodhi poshtë planin e paqes të propozuar nga Shtetet e Bashkuara te Amerikes”, shkroi Tusk në X.

“E vetmja përgjigje e Rusisë ishin sulmet e mëtejshme me raketa në qytetet ukrainase. Kjo është arsyeja pse zgjidhja e vetme është rritja e presionit mbi Rusinë. Dhe ju të gjithë e dini këtë”, shtoi ai.

Në një intervistë për “Reuters”, Trump iu përgjigj pyetjes se pse negociatat e udhëhequra nga SHBA-ja nuk kishin çuar ende në përfundimin e luftës në Ukrainë.

“Shkaku është Zelensky”, tha Trump.

“Sipas vlerësimit tim, presidenti rus Vladimir Putin ishte më i gatshëm se udhëheqja ukrainase për të bërë një marrëveshje dhe për t’i dhënë fund luftimeve”, shtoi ai.

Polonia, një anëtare e BE-së dhe NATO-s, është një nga mbështetëset më të rëndësishme politike dhe ushtarake të Ukrainës.

Ajo luan një rol qendror si një qendër logjistike për ndihmën ushtarake perëndimore ndaj Kievit. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›