GJERMANI – Wadephul: Procesi i njohjes së shtetit palestinez “duhet të fillojë tani”

BERLIN, 31 korrik /ATSH-AA/ – Ministri i Jashtëm i Gjermanisë tha se procesi i njohjes së shtetit palestinez “duhet të fillojë tani.
“Për Gjermaninë, njohja e një shteti palestinez ka më shumë gjasa të jetë fundi i procesit. Por një proces i tillë duhet të nisë tani. Gjermania nuk do të largohet nga ky qëllim”, tha Johann Wadephul në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme, pak para vizitës së tij në Izrael dhe territoret palestineze.
“Gjermania gjithashtu do të detyrohet të përgjigjet ndaj hapave të njëanshëm”, paralajmëroi ai, duke nënkuptuar se procesi mund të përshpejtohet në varësi të rrethanave.
Ai theksoi se një zgjidhje e negociuar me dy shtete mbetet “e vetmja mënyrë” për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme të konfliktit, duke u mundësuar njerëzve nga të dyja palët të jetojnë në paqe, siguri dhe dinjitet.
“Përballë kërcënimeve të hapura për aneksim nga pjesë të qeverisë izraelite, një numër gjithnjë e më i madh shtetesh, përfshirë edhe vende evropiane, janë të gatshme të njohin një shtet palestinez pa negociata paraprake. Rajoni dhe procesi i paqes në Lindjen e Mesme ndodhen kështu në një udhëkryq”, shtoi ai.
Ai rikonfirmoi se Gjermania, me “përgjegjësinë e saj të veçantë ndaj Izraelit”, nuk mund të mbetet “e paprekur”.
“Në të njëjtën kohë, Izraeli duhet të ofrojë lehtësim të menjëhershëm, gjithëpërfshirës dhe afatgjatë për situatën katastrofike në Rripin e Gazës. Gjermania mbetet e gatshme të ofrojë gjithë mbështetjen e saj për të zbutur vuajtjet”, theksoi Wadephul. /os/