GJKKO kalon për gjykim dosjen “Partizani”

TIRANË, 19 maj /ATSH/ Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) kaloi sot për gjykim dosjen e ish-kompleksit sportiv “Partizani”, në të cilën ish-kryeministri Sali Berisha, aktualisht kryetar i Partisë Demokratike, akuzohet për “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”.
Ndërkohë, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi akuzohet për kryerjen e veprave “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Të njëjtat akuza janë edhe për biznesmenin Fatmir Bektashi, ndërsa Xhimi Begeja e Andia Pustina akuzohen për “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim.
Në gjykim do të jenë edhe shoqëritë tregtare të përfshira në aferën e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”.
Në një prononcim për gazetarët, avokati Genc Gjokutaj theksoi se ky vendim u mor në kushtet kur mungon fakti penal, duke shtuar se “nuk kanë kërkuar gjykim të shkurtuar”.
“Të gjitha vendimet e marra prej Irena Gjokës janë të pavlefshme. Gjykata vendosi ta kalojë për gjykim çështjen. Dua të theksoj se kjo pavlefshmëri po mban prej 2 vitesh Malltezin në arrest shtëpie. Rama përmes GJKKO e dërgoi çështjen në gjyq. Ky ishte vendimi i sotëm. Ishte citim dispozitash dhe nenesh, që janë për te studentët dhe jo për neve. Ne nuk kemi kërkuar gjykim të shkurtuar se mungon fakti penal. Kur konstatojmë akte të pavlefshme gjykimi i shkurtuar automatikisht është i rrëzuar. Kemi leximin tonë të ligjit. Çështja e gjykimit të shkurtuar është mbyllur në këtë seancë. Do të ecet me gjykim të zakonshëm”, tha Gjokutaj.
SPAK e akuzon Berishën se, gjatë kohës që ishte kryeministër, ka përdorur funksionin e tij për të favorizuar dhëndrin Jamarbër Malltezi, në procesin e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”. Sipas SPAK, ky privatizim është bërë në mënyrë të parregullt dhe me ndikim të paligjshëm nga Berisha, duke sjellë përfitime të padrejta për Malltezin dhe dëm ekonomik për shtetin. Berisha i ka cilësuar akuzat si politike.

