E Diel, 1 Nëntor 2026

GJKKO rrëzon SPAK-un për Adriatik Loglin, shpallet i pafajshëm, 15 vite burg në total për dy anëtarët e grupit të drogës

Gjykata e Posaçme (GJKKO) ka zbardhur sot vendimet për një dosje të rëndësishme të hetuar nga SPAK, e cila përfshinte akuza për shpërdorim detyre dhe trafik narkotikësh.

Në një vendim të marrë pas gjykimit të shkurtuar, trupi gjykues e ka shpallur të pafajshëm të pandehurin Adriatik Logli, i cili akuzohej për “Shpërdorim detyre”, duke rrëzuar kështu pretendimet e Prokurorisë së Posaçme.

Ndërkohë, drejtësia ka dhënë dënime të rënda për dy të akuzuarit e tjerë si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që merrej me prodhimin dhe shitjen e lëndëve narkotike. Ata do ta vuajnë dënimin në një burg të sigurisë së lartë.

Vendimet kryesore të Gjykatës ishin: Adriatik Logli, i cili shpallet i pafajshëm për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”; Kristi Dautaj dënohet përfundimisht me 10 vite burgim për prodhim/shitje narkotikësh dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar criminal; Xh.A (i mitur) dënohet me 5 vite burgim për të njëjtat akuza, duke përfituar ulje për shkak të moshës (i ri në konflikt me ligjin).

Të dënuarve do t’u njihet edhe koha e kaluar në paraburgim apo në “Arrest shtëpie”, ndërkohë që ata janë të detyruar të paguajnë shpenzimet e gjyqit dhe të hetimit. Palët kanë 15 ditë kohë për ta apeluar këtë vendim në Gjykatën e Posaçme të Apelit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›