GJKKO rrëzon kërkesat e Veliajt, nuk lejon qëndrimin e kryebashkiakut jashtë kafazit të qelqtë

Gjykata e Posaçme rrëzoi këtë të martë pesë kërkesat paraprake të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Ky i fundit nuk u paraqit vetë në seancë dhe i bëri të ditur trupës gjykuese, përmes një deklarate me shkrim, se nuk do të jetë i pranishëm derisa t’i vihen në dispozicion 24 fashikuj të dosjes, provat elektronike dhe të lejohet të qëndrojë pranë avokatit të tij dhe jo në kafazin e qelqtë. Avokati i tij, Plarent Ndreca, shtoi edhe tre kërkesa të tjera.
Plarent Ndreca – Avokati i Erion Veliajt: “Moslejimi i kamerave në këtë proces është një goditje e drejtpërdrejtë ndaj së drejtës kushtetuese. Kërkoj lejimin e kamerave për të transmetuar live këtë proces. Kërkojmë të na vihen në dispozicion kallëzimet anonime të bëra ndaj të pandehurit Veliaj, pasi vlerësojmë se i shërbejnë mbrojtjes dhe këtij procesi. Duam informacion se si janë administruar këto kallëzime. Kërkojmë që seancat të zhvillohen një herë në dy javë dhe jo çdo javë.”
Ndërsa dy prokurorët në sallë, Altin Dumani dhe Ols Dado, kërkuan rrëzimin e këtyre kërkesave.
“Në asnjë mënyrë nuk mund të barazohet një seancë publike me transmetimin live. Ligji parashikon seanca publike dhe jo transmetim të drejtpërdrejtë. Kërkesa nuk mbështetet në ligj. Në çështjet penale, si në Europë ashtu edhe në SHBA, transmetimi live nuk aplikohet.” Altin Dumani – Prokuror i Posaçëm
“Kallëzimet e Nesti Angonit dhe Nasta Pëllumbit janë nga persona të paidentifikuar, janë pjesë e akteve hetimore dhe do të diskutohen gjatë gjykimit. Ato janë të pasqyruara në fashikuj dhe do të shqyrtohen në themel të procesit.” Ols Dado – Prokuror i Posaçëm:
Seanca u shty për shkak se avokati i ri i Ajola Xoxës, Gurali Braimllari, kërkoi kohë për t’u njohur me dosjen dhe për t’u konsultuar me klienten e tij. Seanca e radhës do të mbahet më 23 qershor, ora 10:00.
/rtsh.al/