GJKKO shpall të pafajshëm Erion Braçen në procesin për “Shpifje”

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka dhënë sot vendimin në lidhje me padinë për shpifje ndaj deputetit Erion Braçe, të ngritur nga shtetasi Anduel Çekrezi. Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarja Flojera Davidhi ka vendosur pafajësinë për të akuzuarin.
Sipas njoftimit zyrtar të institucionit, vendimi nr. 45, datë 03.06.2026, i jep fund këtij procesi në shkallën e parë, i cili kishte nisur pas kërkesës së paraqitur nga paditësi në fillim të muajit mars.
Në vendimin e saj, Gjykata deklaroi:
“Deklarimin e pafajshëm të të akuzuarit Erion Braçe, për kryerjen e veprës penale të ‘Shpifjes’, e kryer botërisht, parashikuar nga neni 120, paragrafi dytë i Kodit Penal.”
Procesi gjyqësor kishte si objekt akuzën e “Shpifjes”, e kryer botërisht, një çështje e iniciuar nga shtetasi Anduel Çekrezi në datën 3 mars 2026. Me këtë vendim, gjykata ka vendosur gjithashtu që shpenzimet gjyqësore të mbeten në ngarkim të palëve ashtu siç janë kryer.
Për palët e interesuara, rruga ligjore mbetet e hapur nëpërmjet shkallës së dytë të gjyqësorit. Njoftimi i gjykatës saktëson se:
“Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar të gjykatës.”
Përplasja lindi pasi Braçe denoncoi zaptimin e dyshuar të tokave të fshatarëve në Imshtë të Lushnjes (pranë lumit Seman) nga Çekrezi, për ndërtimin e një parku fotovoltaik. Nga ana e tij, biznesmeni e paditi deputetin duke pretenduar se i kishte denigruar figurën publikisht me akuza të rreme.
/rtsh.al/