GJKKO vendos më 9 shkurt nëse do të kalojë për gjykim Veliajn

TIRANË, 2 shkurt/ATSH/ Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) në seancën e sotme vendosi caktimin e datës 9 shkurt për të shpallur vendimin nëse do të kalojë për gjykim çështja ndaj kryetarit të bashkisë së Tiranë, Erion Veliaj.
Në seancë Veliaj kërkoi përjashtimin e gjyqtares Etleva Dedja, pasi sipas tij ajo i ka mohuar të drejtën për t’u mbrojtur efektivisht.
Pas debateve të zhvilluara mes palëve, Veliaj u largua nga seanca përpara përfundimit të saj.
Ndërsa avokatja e caktuar kryesisht nga Gjykata e Posaçme, Valentina Teodoresku, kërkoi shtyrjen e seancës me argumentin se nuk ishte njohur me dosjen.
“I kërkova kohë gjykatës dhe kërkova që Gjykata ta pajisë Veliajn me një laptop, pa internet dhe me një USB sepse Veliaj kërkon të njihet me dokumentet”, tha Teodoresku.
Për çështjen Veliaj, gjykata këtë të hënë relatoi konkluzionet përfundimtare, duke e cilësuar si të ezauruar fazën e mbrojtjes.
Ndërkohë, sa i takon kërkesës së kryebashkiakut, brenda pesë ditëve një gjyqtare tjetër e GJKKO duhet të shqyrtojë nëse pranohet ose jo përjashtimi i Etleva Dedjes nga procesi.
Sipas SPAK, ndaj Veliajt rëndojnë 13 akuza, të tilla si korrupsion pasiv në 9 raste, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg. Po ashtu për gjykim është dërguar edhe bashkëshortja e tij Ajola Xoxa. Veliaj ndodhet në qeli prej pothuajse një viti. Ai u arrestua më 10 shkurt të vitit 2025.
/k.s/j.p/