E Martë, 3 Nëntor 2026

GJKKO vendos pezullim nga detyra dhe detyrim paraqitje për kreun e Komisionit të Prokurimeve Publike

TIRANË, 30 qershor /ATSH/ Kryetari i Komisionit të Prokurimeve Publike Jonaid Myzyri është marrë i pandehur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i dyshuar për kryerjen e veprës penale: “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim, të cilit i është komunikuar akuza.

Më kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka caktuar sot masën e sigurisë “Pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”,  si edhe atë të sigurimit personal me karakter shtrëngues, “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.

Sipas SPAK “objekti i këtij procedimi penal ka qenë procedura e prokurorimit, me nr. REF-65268-07-13-2020, “Loti V: “Mirëmbajtje rutinë me performancë rruga Rrëshen (Ura e Fanit) – Shpal, Shpal – Q. Bene – Hadroj, Shpal – Ura e Repsit”, me fond limit 219.866.693 lekë pa tvsh, zhvilluar më datë 18.9.2020, me autoritet kontraktor Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH)”.

“Shqyrtimi i procedurës nga ana e autoritetit kontraktor ka pasur paligjshmëri, të cilat Komisioni i Prokurimit Publik nuk i ka marrë në konsideratë”, njoftoi SPAK.

SPAK njoftoi se “gjatë shqyrtimit të ankesës të procedurës së mësipërme, ky Komision, në kundërligjshmëri ka favorizuar bashkimin e operatorëve ekonomik; A.M., dhe D.-1., ku pas veprimeve hetimore ka rezultuar se kanë paraqitur dokumente të falsifikuara”.

Përveç kreu të Prokurimeve Publike, “për këtë procedurë prokurimi janë marrë si të pandehur: V.Zh., L.S., M.Z., E.B., V.H., G.A., dhe A.H.,  të dyshuar për kryerjen e veprës penale: “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, si dhe shtetasit; M.L., N.K., dhe A.K., të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikim i vulave, i stampave ose i formularëve”, njoftoi SPAK.

/m.q/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›