GREQI – 15 viktima pas përplasjes mes anijes së Rojës Bregdetare dhe një varke me emigrantë

KIOS, 4 shkurt /ATSH-ANA/ – Të paktën 15 persona humbën jetën pasi një anije e Rojës Bregdetare u përplas me një motoskaf që transportonte emigrantë pa dokumente pranë ishullit të Kiosit.
Aksidenti ndodhi të martën, rreth orës 21:00, në zonën detare pranë Mersinidit, në Vrontados, në Kiosin lindor.
Katërmbëdhjetë persona të vdekur u nxorën nga deti – 11 burra dhe tre gra – ndërsa një grua e katërt e plagosur rëndë u transferua në Spitalin e Përgjithshëm të Kiosit.
Dhjetëra të tjerë të plagosur, shtatë burra, gjashtë gra dhe 11 fëmijë, u shtruan në spital.
Tre prej tyre iu nënshtruan një ndërhyrjeje kirurgjikale pasi kishin marrë lëndime në organe jetësore.
Dy gra të tjera shtatzëna do t’i nënshtrohen gjithashtu një ndërhyrjeje kirurgjikale, pasi u konfirmua se fetuset kishin vdekur.
Dy oficerë të Rojës Bregdetare (një burrë dhe një grua) në bordin e anijes u plagosën lehtë në përplasje dhe u dërguan në spitalin e Kiosit për ndihmën e parë.
Burri pësoi një dëmtim në gjymtyrët e sipërme, ndërsa gruaja pësoi një tronditje të lehtë të kokës.
Kërkimet në zonën detare vazhduan gjatë gjithë natës dhe do të intensifikohen për të gjetur ndonjë person të zhdukur.
Numri i emigrantëve dhe refugjatëve në bordin e anijes nuk është sqaruar ende./ a.jor.