E Hënë, 2 Nëntor 2026

GREQI – Arrestohet 89-vjeçari pas plagosjes së pesë personave në sulmin me armë zjarri

ATHINË, 28 prill /ATSH/- Policia greke ka arrestuar një të dyshuar 89-vjeçar, pas një sulmi me armë zjarri në kryeqytet, ku mbetën të plagosur pesë persona, raportoi BBC.

Sipas autoriteteve, sulmuesi fillimisht hapi zjarr ndaj një zyre të sigurimeve shoqërore në zonën e Kerameikosit në Athinë, duke plagosur një punonjës në këmbë.

Më pas ai shkoi drejt një gjykate rreth 5 kilometra larg, në zonën Ambelokipi, ku plagosi edhe katër persona të tjerë, përpara se të largohej nga vendi i ngjarjes – duke lënë pas një armë gjahu.

Policia tha se i dyshuari u arrestua më vonë në një hotel, pranë stacionit të autobusëve në qytetin port të Patrasit, rreth 200 kilometra larg Athinës.

Gjatë arrestimit, ai kishte me vete një armë të dytë – një revolver të kalibrit .38 të mbushur.

Sipas medias lokale, ai dyshohet se kishte hyrë në ndërtesat në Athinë me armën e gjahut – të fshehur nën pallto – dhe më pas ishte larguar qetësisht nga vendngjarja në këmbë.

Hetuesit po shqyrtojnë gjithashtu mundësinë që ai të ketë përdorur një taksi për të shkuar në vendin e dytë të sulmit.

Një dëshmitar okular tha për agjencinë shtetërore AMNA se “ai po qëllonte në tokë”.

Zyrtarë të sindikatës së punonjësve gjyqësorë në Athinë konfirmuan se katër gra që punonin në gjykatë ishin plagosur lehtë.

Autoritetet greke njoftuan se të pesë të plagosurit – një burrë dhe katër gra – ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Sipas raportimeve, një e afërme e të dyshuarit kishte kontaktuar policinë pasi e kishte njohur atë në lidhje me ngjarjen.

Greqia ka nivele relativisht të ulëta të dhunës me armë, ndërsa posedimi i armëve lejohet, por i kontrolluar rreptësisht. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›