GjKKO dënon me dy vite burg avokatin Besart Logu

TIRANË, 16 janar /ATSh/ Gjykata Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit vendosi sot të shpallë fajtor avokatin Besart Logu, duke e dënuar me dy vite burg, dënim i cili, për shkak të gjykimit të shkurtuar, ulet në 1 vit e katër muaj burg. Po ashtu, GjKKO vendosi t’i heqë Logut të drejtën për të ushtruar profesionin për një periudhë 9-mujore.
Logu u akuzua dhe u shpall fajtor për veprën penale të ndikimit të paligjshëm te funksionarët e drejtësisë. Sipas hetimeve, më 13 dhjetor, Logu i ka marrë klientit të tij, Salvatore Castorina, tetë mijë euro, duke i premtuar se do të ndikonte te prokurori për ta liruar nga burgu. Paratë i janë dorëzuar avokatit përmes një agjenti të infiltruar.
Salvatore Castorina është arrestuar nën akuzën për veprat penale “Krijim i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, kryer në bashkëpunim, “Fshehje e të ardhurave” dhe “Falsifikim i vulave, stampave ose formularëve”, kryer në bashkëpunim.
/a.f/r.e/