E Diel, 1 Nëntor 2026

Gogu: Mbi 200 ligje për integrimin pritet të miratohen gjatë 2026-ës në Kuvend

TIRANË, 16 janar /ATSH/ Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu,  diskutoi sot gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, mbi sesionin parlamentar shtator-dhjetor, gjatë të cilit në 18 seanca u miratuan 41 ligje, nga të cilat 8 kishin të bënin me agjendën europiane të Shqipërisë.

“Ndërkohë, volumi ka qenë i tillë që në nëntor kemi kaluar vetëm gjashtë ligje, ndërkohë që në dhjetor kemi kaluar tridhjetë e dy ligje. Dhe seancat në sesionin që vjen do të ngjajnë më shumë me dhjetorin sesa me nëntorin”, tha ai.

Gogu theksoi se për vitin 2026 vetëm për integrimin europian parashikohen mbi 641 akte ligjore dhe nga këto, Kuvendi do duhet të kalojë mbi 200 ligje. Miratimi i tyre siguron mbajtjen e konferencave ndërqeveritare dhe ritmin për të përmbyllur negociatat brenda 2027-ës.

“Duhet të kalojmë më shumë se dyqind ligje, ku njëqind e dyzet e ca ligje, njëqind e dyzet e dy në mos gaboj, tashmë janë identifikuar – Majlinda i quan “hendeqet kritikë”. Pjesa tjetër, rreth gjashtëdhjetë e ca ligje, nuk janë identifikuar ende, pra janë në proces pune. Prandaj është edhe ajo vështirësia që nuk mund t’ua japim dot që në fillim”, u shpreh Gogu.

Gogu shtoi se disa nga kapitujt kanë një numër të madh ligjesh që nevojiten dhe këtu kryesojnë kapitujt për gjyqësorin dhe të drejtat, drejtësia, mjedisi dhe klima, tatimet, energjia, bujqësia, konsumatori dhe shëndeti, etj.

“Pra, seanca e parë e punës, ajo që vjen, jo kjo që çelim, do të ketë vetëm dymbëdhjetë ligje, vetëm nga integrimi. Dymbëdhjetë ligje që kanë të bëjnë me piketat e ndërmjetme, sipas kapitujve, pra ato nëntëdhjetë e katër ligje që mund të kalojmë në këtë sesion, që kanë të bëjnë vetëm me integrimin, gjashtë kanë të bëjnë me shëndetin, mjedisi dhe klima katërmbëdhjetë, drejtësia ka tridhjetë e një ligje, sepse përfshin edhe gjyqësorin dhe çështje të tjera të drejtësisë”, u shpreh ministri Gogu.

Gogu nënvizoi se, Shqipëria nuk e ka luksin të humbasë kohë me sherre, bllokime, apo truke të tjera që vonojnë përparimin e saj drejt BE-së.

/gj.m/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›