Gjana: Fermerët t'i dëmshpërblejë privati
Ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana ka dalë sot në një konferencë shtypi ku ka theksuar se Qeveria nuk do të dëmshpërblejë asnjë femrer për misrin fallco që ata kanë blerë nga kompanitë private. “Asnjë lek nga buxheti i shtetit, asnjë lek nga fondet e taksapaguesve shqiptarë, asnjë lek nga fondet e Këshillit të Ministrave nuk dotë përdoret për këtë dëmshpërblim” – tha Gjana.
Sipas tij kompanitë private që kanë furnizuar me këtë farë misri, duhet të dëmshpërblejnë të gjithë fermerët që janë dëmtuar nga përdorimi i saj. Kompanitë kanë bërë një deklaratë më datën 4 shtator 2008 ku janë shprehur se fermerët do të dëmshpërblehen për prodhimin e misrit kokërr, i cili do të llogaritet bazuar në sipërfaqet e verifikuara për çdo fermer dhe rendimentin për hektar sipas zonave.
“Raportet mes subjekteve private zgjidhen sipas normave ligjore dhe shteti nuk merr përsipër të paguajë për llogari të kompanive private. Ata që akoma i dinë fermerët kooperativë bujqësore socialiste, gabojnë rëndë kur përpiqen që mentalitetin e tyre kolektivist ta shtrijnë në ekonominë e tregut” – tha Gjana.
Shqipëria mbjell më shumë se 60 mijë ha me miser. Sipërfaqja e mbjellë në vitin 2008 është 14 përqind më e lartë se një vit më parë. Prodhohen mesatarisht 220 – 250 mijë ton misër që përdoret kryesisht për blegtorinë e jo për bukën e popullit.
Sipërfaqja me probleme nga përdorimi i farës ALISEO, marrë nga firma botërisht e njohur franceze “Limagrain”, e çertifikuar sipas skemave të O.E.C.D, është, sipas verifikimeve të bëra deri ditën e sotme, 145 ha në dy qarqe, Diber dhe Elbasan. Lajmet për përhapje në qarqe të tjera janë një mashtrim i pastër politik emediatik.
“Është e pavertetë akuza për mungesë kontrolli dhe përdorim farërash të paçertifikuara. Partia e farës „Aliseo“ që ka hyrë në Shqipëri është e çertifikuar sipas skemave të O E C D –së. Kjo vertetohet nga çertifikata e lëshuar nga Sherbimi Zyrtar i Kontrollit dhe Çertifikimit që vepron nënMinistrinë e Bujqësisë, Peshkimit dhe Ushqimit të Francës” –vazhdoi Gjana.
Sipas tij fara e misrit është në kontroll jashtë shtetit dhe sapo të konfirmohen rezultatet do të jepet edhe shkaku i vërtetë i kësaj anomalie.