E Martë, 3 Nëntor 2026

Gjekmarkaj në Kuvend: Kadare meriton nderime, kërkoj ngritjen e një varri monumental

TIRANË, 26 qershor /ATSH/ Deputeti demokrat Agron Gjekmarkaj ia kushtoi fjalën e tij sot në Kuvend kujtimit të Ismail Kadaresë, ndërsa po afrohet edhe 1-vjetori i përkujtimores së ndarjes nga jeta të shkrimit të njohur.

Gjekmarkaj tha se shteti shqiptar nuk po respekton trashëgiminë e Kadaresë, ndërsa kërkoi ngritjen e një varri monumental, organizimin e një ceremonie ndërkombëtare dhe themelimin e Institutit “Kadare”.

“Nuk kemi nderuar madhështinë e tij. Ne kemi nevojë për Kadarenë, jo ai për ne”, u shpreh Gjekmarkaj.

“Nuk jam këtu për të nderuar personalitetin më të madh të letrave shqipe, se jam pakogjë për ta bërë këtë, por për të reflektuar se çfarë nuk kemi bërë edhe ne, kjo sallë, për të përmbushur detyrimin që ky komb, ky shtet, kjo shoqëri dhe ky parlament ka ndaj njërit prej shqiptarëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave, Ismail Kadaresë. Sot flas i brengosur, arsyen e brengës do e shtjelloj pak më poshtë, se ai nuk ishte vetëm shkrimtari i kombit tone. Ishte një institucion shpirtëror e kulturor, një udhërrëfyes në kohë të errëta, një zë europian që ngriti Shqipërinë në Olimpin e letërsisë botërore”, tha Gjekmarkaj.

Deputeti i opozitës bëri thirrje në Kuvend që të gjithë t’i bashkohen kërkesës së tij për ndërtimin e një varri monumental për shkrimtarin Kadare, si edhe organizimin e një ceremonie rivarrimi ndërkombëtar.

“Unë flas sot si shqiptar, si lexues, si deputet i këtij Kuvendi. Ndaj kërkoj dhe ju bëj thirrje të më bashkoheni edhe ju në kërkesat e mia: ndërtimin e një varri monumental për Ismail Kadarenë, me konkurs internacional ku brezat të ndalen me respekt dhe krenari. Organizimin e një ceremonie rivarrimi ndërkombëtare, ku të ftohen shkrimtarët, shtëpitë botuese, përkthyesit, kritikët, politikanët dhe përfaqësuesit e Evropës, siç e kërkon madhështia e tij. Krijimin e një institucioni publik me vizion ndërkombëtar – Instituti “Kadare”, për studimin, përkthimin dhe ruajtjen e veprës së tij”, pohoi Gjekmarkaj.

/e.i//r.e//a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›