E Martë, 3 Nëntor 2026

Apeli i GJKKO ndryshon dënimin me burg për ish-anëtarin e Gjykatës së Lartë, e zëvendëson me 100 orë punë publike

TIRANË, 26 qershor /ATSH/ Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, vendosi sot pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim të ish-anëtarit të Gjykatës së Lartë Guxim Zenelaj, i shpallur fajtor për deklarim të rremë të pasurisë.

Vendimi u mor sot nga gjyqtarët Igerta Hysi (kryesuese), Tereza Merkaj (anëtare) dhe Iliriana Olldashi (anëtare).

Apeli i GJKKO-së vendosi që të ndryshojë vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar marrë më 17 mars 2025, duke e zëvendësuar dënimin me burgim me detyrimin e të denuarit Guxim Zenelajt për të kryer një punë në interes publik, për një kohë prej 100 orësh.

Sipas vendimit, “puna në interes publik, të kryhet nga i dënuari brenda gjashtë muajve, duke filluar ky afat nga dita e ekzekutimit të këtij vendimi”.

“Detyrohet i dënuari Guxim Zenelaj të kryejë llojin e punës, në vendin e kryerjes së saj dhe në ditët përkatëse të javës, sipas përcaktimeve të Zyrës Vendore të Shërbimit të Provës Tiranë. Detyrohet i dënuari Guxim Zenelaj të mbajë kontakte me Zyrën Vendore të Shërbimit të Provës Tiranë”, thuhet në vendimin e Apelit të GJKKO-së.

Kundër vendimit mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë, brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve.

/m.q//r.e//a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›