E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjekmarkaj në Kuvend: Përmbytjet, mungesë reagimi nga institucionet

TIRANË, 2 dhjetor /ATSH/ Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, në fjalën e mbajtur sot në Kuvend, u ndal tek situata e përmbytjeve që prekën vendin gjatë javëve të fundit.

Në seancën plenare, ku po diskutohet për çështje të evidentuara nga zgjedhësit, Gjekmarkaj akuzoi qeverinë për mungesë reagimi dhe dështim në menaxhimin e emergjencave.

Gjekmarkaj tha se qytetarët po përballen jo vetëm me fuqinë e natyrës, por “me dobësinë e një shteti në gjunjë dhe një pushteti pa shqisa”.

“Ajo që ndodhi ditët e fundit është fatkeqësi e stimuluar. Është pasqyrë e qartë e korrupsionit dhe e dështimit të pushtetit lokal dhe qendror. Një histori e përsëritur, ku qytetarët vuajnë ndërsa përgjegjësit fshihen pas premtimeve boshe, lekëve të zhvatura”, u shpreh deputeti demokrat.

Ai akuzoi institucionet se nuk kanë marrë masa parandaluese.

“Ndodhi ajo që ndodh kur pushteti nuk investon, por merr, kur nuk dëgjon, por flet, kur nuk vlerëson rrezikun, por e vesh me një premtim të ri”, tha Gjekmarkaj.

“Në Lezhë nuk ka pushtet lokal, nuk ka Ministri Bujqësie, Mbrojtjeje dhe as Emergjenca Civile. Argjinaturat janë amortizuar. Një e çarë u mbyll përpara kamerave, një tjetër u hap sërish 24 orë më pas”, deklaroi Gjekmarkaj.

Ai solli në vëmendje edhe zërat për abuzime dhe devijime të mundshme në funksion të interesave ndërtimore, duke theksuar se askush nuk ka marrë përgjegjësi.

“Ka zëra dhe diskutime publike mbi abuzime dhe devijime të mundshme për interesa ndërtimore”, u shpreh ndër të tjera ai.

Gjekmarkaj u shpreh se argjinaturat dhe hidrovoret janë lënë në mëshirë të fatit.

“Hidrovoret janë lënë në mëshirë të fatit, hidrovori i Tales mbeti pa energji kur duhej më shumë se kurrë. Premtimet bien si shi dhe shiu nuk ndalet kurrë”, tha ai.

Sipas tij, qytetarët janë trajtuar në mënyrë të papranueshme, duke marrë vetëm pako ushqimore, pa vlerësim dëmesh dhe asnjë plan dëmshpërblimi.

“Trajtim minimal e fyes për njerëz që humbasin gjithçka. Kur pushteti ndërton propagandë, kur njerëzit i zhvasin, i mbyt pasoja”, shtoi Gjekmarkaj.

Në mbyllje të fjalës së tij, ai bëri thirrje që komunitetet e prekura nga përmbytjet të mos trajtohen si “tokë e askujt”.

“Sot nuk jemi në këtë seancë vetëm për të përshkruar dëmet, jemi për të ngritur zërin e një komuniteti që nuk e meriton të trajtohet si tokë e askujt. Jemi këtu për të thënë qartë se Lezha, Mirdita dhe Kurbini nuk kanë nevojë për rrena përpara kamerave”, përfundoi Gjekmarkaj.

/gj.m/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›