MOSKË – Putin: Nëse Evropa dëshiron luftë, atëherë Rusia është gati

MOSKË, 2 dhjetor /ATSH-AFP/ – Presidenti rus, Vladimir Putin paralajmëroi sot se Rusia ishte gati për luftë, nëse Evropa do të niste armiqësitë kundër saj, pak para një takimi të shumëpritur në Moskë me të dërguarit e SHBA-së për bisedime mbi Ukrainën.
Presidenti rus, i cili nisi një ofensivë në shkallë të gjerë kundër fqinjit të tij ukrainas, në shkurt 2022, shpreh vazhdimisht përbuzjen e tij për Bashkimin Evropian, një aleat i Kievit, dhe hedh poshtë rolin e tij në negociatat për një plan paqeje.
“Ne nuk kemi ndërmend të shkojmë në luftë me Evropën, por nëse Evropa dëshiron dhe fillon, ne jemi gati tani”, u tha Putin gazetarëve në periferi të një forumi ekonomik në Moskë.
Ai akuzoi evropianët se duan të pengojnë përpjekjet amerikane për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
“Ata nuk kanë një program paqeje. Ata janë në anën e luftës”, shtoi ai.
Këto vërejtje bien ndesh me ato të shefit të NATO-s, Mark Rutte, i cili pak më parë kishte thënë se ishte i bindur se përpjekjet amerikane në Ukrainë “përfundimisht do të rivendosin paqen në Evropë”.
Ky konflikt është më vdekjeprurësi në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Një ditë më parë, Uashingtoni tha se ishte “shumë optimist” pavarësisht kokëfortësisë së vazhdueshme të udhëheqësit rus, i cili ishte planifikuar të priste të dërguarin e Donald Trump, Steve Witkoff, dhe dhëndrin e presidentit amerikan, Jared Kushner, në Kremlin në fund të pasdites së sotme.
Një delegacion nga Kievi mund të takohet nesër me dy zyrtarët amerikanë, pas këtyre bisedimeve, sipas një burimi ukrainas./ a.jor.