E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjendet pas 48 orësh kërkime trupi i Kapitenit Arben Anamali, humbi jetën duke shpëtuar dy turistë

Pas gati 48 orësh kërkimesh intensive, është gjetur trupi i pajetë i kapitenit të anijes turistike, Arben Anamali. Trupi u lokalizua në ditën e tretë të operacionit të kërkimit, i cili nisi në orët e para të mëngjesit të sotëm, rreth orës 05:00.

51-vjeçari ndërhyri pa hezitim për të shpëtuar dy turistë izraelitë, të cilët kishin hyrë në liqen për të notuar, por u gjendën në vështirësi për shkak të rrymave të forta. Sapo e kuptoi rrezikun, kapiteni Anamali u hodh në ujë për t’i ndihmuar dhe arriti t’i afrojë pranë varkës, duke u shpëtuar jetën. Por pak çaste më vonë, u zhduk në ujë.

Dyshohet se për shkak të lodhjes së madhe dhe ndoshta komplikacioneve shëndetësore, ai nuk arriti të dalë më në sipërfaqe.

Arben Anamali ishte babai i dy fëmijëve të mitur dhe punonte si kapiten i anijeve turistike të Bashkisë Shkodër prej vitit të kaluar. Ai njihej për profesionalizmin, përkushtimin dhe dashurinë për detin cilësi që i tregoi deri në fundin e jetës së tij.

Ky akt trimëror, që shpëtoi dy jetë të huaja, u kthye në një tragjedi për familjen e tij dhe për gjithë komunitetin që e njohu dhe e respektoi. Autoritetet dhe të afërmit e kanë përkujtuar me dhimbje e krenari, si një hero që dha jetën për të shpëtuar të tjerët.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›