Gjermani:- Wadephul: Nuk përjashtohet sulm ndaj NATO-s pas incidentit në bazën britanike në Qipro

BERLIN, 3 mars /ATSH-DPA/ – Ministri i Jashtëm gjerman deklaroi sot se një sulm ndaj një shteti anëtar të NATO-s nuk mund të përjashtohet, pas një sulmi me dron ndaj një baze ajrore britanike në Qipro.
“Po, ky rrezik ekziston, nuk mund të hidhet poshtë”, tha Johann Wadephul për transmetuesin publik ZDF, kur u pyet nëse vendet e NATO-s mund të bëhen objektiv ndërsa përshkallëzohet konflikti që përfshin Iranin.
Baza ajrore britanike në Akrotiri, Qipro, u sulmua të dielën në mesnatë me një dron të tipit iranian “Shahed”, njoftuan zyrtarët. Sipas burimeve qeveritare, dy mjete të tjera ajrore pa pilot u interceptuan më vonë gjatë ditës, sipas burimeve qeveritare.
Qipro është anëtare e Bashkimit Evropian, por nuk bën pjesë në NATO. Britania e Madhe thotë se është e angazhuar në një mision ushtarak mbrojtës në Lindjen e Mesme kundër Iranit. Edhe Gjermania ka rezervuar të drejtën për të ndërmarrë masa mbrojtëse ushtarake.
Wadephul deklaroi në intervistë se kjo nënkupton që ushtarët gjermanë do të mbrohen nëse sulmohen. “Gjermania nuk do të marrë pjesë në asnjë përballje ushtarake. Ne gjithashtu nuk po vëmë në dispozicion objekte ushtarake për këtë qëllim,” theksoi ai.
“Përpjekjet duhet të vazhdojnë për zgjidhjen e konfliktit me Iranin përmes negociatave”, shtoi Wadephul.
Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën të shtunën një ofensivë të gjerë kundër Iranit, duke shkaktuar përshkallëzim rajonal, ndërsa Teherani lëshoi raketa drejt bazave amerikane në disa shtete të Gjirit. /Ad.Ab./