E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjiknuri: Adresimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it në komisionin për Reformën Zgjedhore

TIRANË, 11 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Bashkëkryetari i komisionit të posaçëm për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri ftoi sot opozitën që të marrë pjesë në komision me propozime konkrete për të adresuar rekomandimet e OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet.

Gjatë mocionit me debat në Kuvend të kërkuar nga opozita për gjetjet e raportit të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 11 majit, Gjiknuri kujtoi se ndërsa sot opozita mallkon votën e diapsorës, ka pasur në fakt gjithë lirinë e nevojshme për ta shkruar si ta donte në Kod këtë çështje.

Po ashtu, Gjiknuri tha se për zgjehdjete  11 majit mazhoranca tregoi gatishmëri që në 6 qarqe me financimin e qeverisë të bëhej votim dhe numërim elektronik, por edhe kjo u refuza nga opozita.

“U hodh poshtë edhe një mundësi e mirë pavarësisht se do të kushtonte. Për sistemin zgjedhor ishit ju që ratë dakort menjëherë”, kujtoi Gjiknuri.

Sipas tij, opozita duhet ta kërkojë përgjegjësinë e rezultatit të zgjedhjeve te vetja.

“Ku shkuan mbi 200 mijë vota tuajat? Janë gjëra që duhet t’i shikoni mes vetes tuaj. Shikoni mirë taktikën elektorale. Unë nuk bëj analizën tuaj por ju nuk mund të hyni në fushatë elektorale si humbësa me shpresën se do ta keni nga Amerika rezultatin”|, tha Gjiknuri.

Gjiknuri i kujtoi opozitës se nuk mund të vijë në pushetet në këtë mënyrë, por do punë elektorale.

“Raportin e ODIHR mos e ktheni në miting politik këtu në sallë, kthejeni në propozime konkrete në komisionin e Reformës Zgjedhore. Hajdeni me propozime konkrete si doni ta bëjmë votën e diapsorës. Por duhet të vini me propozime dhe jo të keni frikë nga mungesa e organizimit të brendshëm, pasi në këtë mënyrë nuk mund t’i adresoni”, tha ai.

Gjiknuri theksoi se normalisht ka vend për përmirësim dhe qeveria e ka lexuar raportin dhe do marrë masat e saj.

“Janë në Kuvend edhe disa ligje si ai i medias, që është ligj i rëndësishëm në fushatë, apo për financimin e partive politike që afron barazinë e garës. Normalisht opozita është më e interesuar se kushdo për t’ju qasur këtyre temave”, shtoi ai.

Duke iu drejtuar opozitës, Gjiknuri tha se “dobësimi juaj ekstrem nuk e ndihmon këtë vend, ndaj kësaj radhe duhet të vini me propozimet e duhura në komision”. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›