Gjykata Kushtetuese: Mbyllja e “TikTok” cenoi lirinë e shprehjes

TIRANË, 11 mars /ATSH/ Gjykata Kushtetuese, vendosi sot pranimin pjesërisht të kërkesës së paraqitur nga shoqata “Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë” dhe qendra “Rrjeti Ballkanik për Gazetarinë Investigative, Shqipëri Balkan Investigative Reporting Network, Albania” të cilët kërkuan shfuqizmin e vendimit të qeverisë për mbylljen e platformës on-line “TikTok”.
Gjithashtu, Gjykata Kushtetuese, në përfundim të shqyrtimit të çështjes, konstatoi cenimin e lirisë së shprehjes dhe të lirisë së shtypit si rezultat i zbatimit të Vendimit të Këshillit të Ministrave për mbylljen e “TikTok”.
Sipas vendimit, Gjykata Kushtetuese, “arriti në përfundimin se ndërprerja e aksesit në platformën TikTok përbën kufizim të lirisë së shprehjes dhe të shtypit”, ndërsa shton se “për këtë shkak ajo vlerësoi të analizojë këtë kufizim në këndvështrim të kritereve të nenit 17 të Kushtetutës, pra nëse ai është bërë me ligj, për interes publik dhe nëse është respektuar kriteri i përpjesëtimit midis ndërhyrjes dhe gjendjes që e ka diktuar atë”.
Gjykata Kushtetuese njoftoi se “në lidhje me kriterin e parë të kufizimit, “vetëm me ligj”, Gjykata vlerësoi se, megjithëse ligjet mbi bazën e të cilave ka dalë VKM-ja nr. 151/2025 parashikojnë kompetenca të caktuara rregullatore dhe mbrojtëse në fushën e komunikimeve elektronike dhe të të drejtave të fëmijëve. ato nuk i japin Këshillit të Ministrave një autorizim të qartë, të posaçëm dhe të parashikueshëm për vendosjen e një mase me karakter të përgjithshëm, siç është ndërprerja e plotë e aksesit në një platformë on-line për të gjithë përdoruesit në territorin e Republikës së Shqipërisë”.
Në këto kushte, sipas Gjykatës Kushtetuese, vendimi për mbylljen e platformës “Tik-Tok”, “nuk mund të konsiderohet thjesht si akt që detajon teknikisht një kufizim të parashikuar më parë nga ligji, por si akt që ka materializuar vetë kufizimin në thelbin e tij. Për rrjedhojë, kriteri i kufizimit “vetëm me ligj”, nuk është përmbushur”.
Për sa i përket kriterit të dytë, të kufizimit për interes publik ose arsye të rëndësishme publike Gjykata Kushtetuese “e vlerësoi të përmbushur pasi ai konsiston në mbrojtjen e të drejtave dhe interesit më të mirë të fëmijës dhe të të rinjve dhe qëllimi i VKM-së nr. 151/2025 ka qenë marrja e masave për shmangien e ndikimeve negative të platformës on-line Tik Tok në nxitjen e dhunës veçanërisht te fëmijët, në shkaktimin e problemeve të zhvillimit psiko-social të tyre, si dhe në shkaktimin e problematikave sociale në tërësi”.
Po ashtu, Gjykata Kushtetuese, vlerësoi se masa nuk përmbushi as kriterin e proporcionalitetit, pasi “ndonëse kategoria e gazetarëve ka pasur në dispozicion edhe mjete të tjera komunikimi që ishin funksionale, vetëm ekzistenca e tyre nuk mund të jetë një element vendimtar për vlerësimin e proporcionalitetit të një mase që kufizon ose eliminon tërësisht aksesin në një hapësirë të caktuar komunikimi, për sa kohë platforma e bllokuar paraqiste karakteristika të veçanta si hapësirë komunikimi publik dhe shpërndarjeje informacioni”.
Gjithashtu sipas Gjykatës Kushtetuese, fakti që masa ishte e përkohshme nuk mjafton për ta bërë atë proporcionale, në rrethanat kur ajo mori formën e një ndalimi të përgjithshëm dhe u lidh me një kusht të ardhshëm e të pasigurt, që varej nga zhvillimet teknike të vetë platformës.
Kujtojmë se një vit pas bllokimit, qeveria rihapi rrjetin social “TikTok”. Këshilli i Ministrave, vendosi heqjen e masave të përkohshme për ndërprerjen e aksesit, pas adresimit të problematikave në fushën e sigurisë publike dhe sociale në mjedisin digjital.
/m.q/a.f/