E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis hartimi i Politikave Industriale dhe Strategjisë për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme

TIRANË, 11 mars/ATSH/ Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, bëri të ditur sot se në mbledhjen e Komitetit të Planifikimit Strategjik u miratua nisja e hartimit të Dokumentit të Politikave Industriale dhe të Strategjisë Kombëtare për Mbështetjen e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme.

Në një deklaratë për mediet, pas mbledhjes së Komitetit, ministrja Ibrahimaj theksoi se të dy dokumentat janë elementë kyç që do të hartohen gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti dhe lidhen me Kapitullin 20 të negociatave për integrimin europian, si dhe me rritjen e konkurrueshmërisë së ndërmarrjeve shqiptare.

“Dokumenti i Politikave Industriale dhe Strategjia Kombëtare për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme parashikojnë një fokus të veçantë në axhendën digjitale dhe të gjelbër, në automatizimin dhe digjitalizimin e procedurave, duke promovuar inovacionin në sektorin privat. Mbështetja do të vijë si në nivel burokratik, përmes lehtësimit të procedurave, ashtu edhe në nivel financiar, përmes ndërtimit të instrumentave që do t’i ndihmojnë ndërmarrjet shqiptare të arrijnë standardet e Bashkimit Europian”, deklaroi ministrja.

Sipas saj, qëllimi i këtyre dokumenteve është përmirësimi i klimës së biznesit, rritja e konkurrueshmërisë dhe përshpejtimi i integrimit të Shqipërisë në tregun europian.

/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›