E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata Kushtetuese rrëzon kërkesën e PD për zgjedhjen e Endri Shabanit si Avokat i Popullit

TIRANË, 29 shtator /ATSH/ Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e deputetëve të Partisë Demokratike, të cilët kundërshtonin zgjedhjen e Endri Shabanit në detyrën e Avokatit të Popullit.

Deputetët kërkonin verifikimin e zgjedhshmërisë dhe papajtueshmërisë së tij me ushtrimin e funksionit, si dhe shfuqizimin e vendimit të Kuvendit për zgjedhjen e tij.

Sipas Gjykatës, Avokati i Popullit përfshihet në kategorinë e funksionarëve të organeve të parashikuara nga Kushtetuta. Gjykata vlerësoi se një pjesë e pretendimeve të deputetëve nuk ngrinin çështje të nivelit kushtetues. Për këto çështje, Gjykata arriti në përfundimin se nuk kishte element kushtetues për t’u shqyrtuar prej saj.

“Avokati i Popullit përfshihet në kategorinë e funksionarëve të organeve të parashikuara në Kushtetutë, sipas kësaj dispozite, për rrjedhojë edhe çështjet që lidhen me zgjedhshmërinë e papajtueshmërinë në ushtrimin e funksionit të Avokatit të Popullit dhe verifikimin e zgjedhjes së tij përfshihen në juridiksionin kushtetues. Gjykata, pasi mori në shqyrtim pretendimet e ngritura nga kërkuesi, vlerësoi se ato nuk ngrenë ndonjë çështje të nivelit kushtetues”, thuhet në vendim.

Një nga çështjet kryesore të ngritura nga kërkesa e PD ishte nëse kandidati i zgjedhur, Endri Shabani plotësonte kriterin kushtetues për të pasur “njohuri dhe veprimtari të njohura në fushën e të drejtave të njeriut dhe të ligjit”. Për këtë pikë, Gjykata vlerësoi se nuk konstatoi cenim të garancive themelore procedurale dhe as arbitraritet në procedurën e ndjekur nga Kuvendi.

“Kuvendi në zgjedhjet brenda procedurave parlamentare që përfshijnë vlerësime profesionale të kandidatëve për funksione kushtetuese gëzon diskrecion me kusht që të respektojë garancitë themelore procedurale dhe që procesi mos të ketë arbitraritet”, vijon vendimi.

Një tjetër pretendim i deputetëve lidhej me veprimtarinë politike të kandidatit për Avokat të Popullit dhe nëse ajo përbënte shkak papajtueshmërie me ushtrimin e funksionit. Duke iu referuar rastit konkret dhe momentit të betimit të Avokatit të Popullit në Kuvend, Gjykata e vlerësoi këtë pretendim si të pabazuar.

“Në rastin konkret, referuar momentit të betimit të Avokatit të Popullit në Kuvend, Gjykata vlerësoi se pretendimi i kërkuesit është i pabazuar”, theksohet në vendim.

Në shqyrtimin e saj, Gjykata u ndal edhe te mbështetja e kandidaturës nga 28 deputetë dhe pretendimi se kjo mbështetje nuk ekzistonte në momentin kur kandidati u votua në seancë plenare. Në rastin konkret, Gjykata vlerësoi se kushti i mbështetjes nga 28 deputetë ishte përmbushur në momentin kur kandidaturat u verifikuan nga Komisioni i Ligjeve dhe u kaluan për votim në seancë plenare.

“Qëllimi i rregullit procedural për mbështetjen e kandidatëve nga deputetët është të sigurojë efektivitetin e procedurës parlamentare, në funksion të rezultatit të saj dhe nuk është i lidhur me ushtrimin e funksionit ligjvënës nga Kuvendi. Në rastin në shqyrtim, ky kusht ishte plotësuar në momentin e verifikimit nga Komisioni i Ligjeve të kandidaturave dhe kalimin e tyre për votim në seancë plenare. Në këtë mënyrë, procesi kishte sjellë pasoja konkrete, ndaj tërheqja e mbështetjes pas kalimit të kësaj faze nuk mund të sjellë më pasoja në procedurën vijuese parlamentare”, thuhet në vendim.

Shabani u zgjodh Avokat i Popullit në dhjetor 2025, me 85 vota pro në Kuvend. Përplasja politike rreth zgjedhjes së tij nisi gjatë procedurës parlamentare, kur Partia Demokratike tërhoqi firmat e mbështetjes për kandidatët për Avokat të Popullit, përfshirë Endri Shabanin, duke deklaruar se ai nuk gëzonte më mbështetjen e deputetëve demokratë.

/e.i/r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›