E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata Kushtetuese shfuqizon ndryshimet për komisionet parlamentare

TIRANË, 23 shkurt /ATSH/ Gjykata Kushtetuese vendosi të pranojë kërkesën e deputetëve të Partisë Demokratike për shfuqizimin e vendimit nr. 57/2025 të Kuvendit, që lidhet me ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit dhe rritjen e numrit të komisioneve parlamentare.

Në njoftimin zyrtar bëhet e ditur se Gjykata, pasi shqyrtoi pretendimet e palëve, vlerësoi se duhet të vendoset shfuqizimi i vendimit për shkak të cenimit të parimit të demokracisë përfaqësuese, të lidhur me lirinë e shprehjes së deputetëve.

Sipas Gjykatës, janë shkelur rregullat për thirrjen e mbledhjes së Kuvendit dhe procedura e ndjekur për miratimin e aktit objekt shqyrtimi.

Gjykata vendosi gjithashtu që efektet e shfuqizimit të hyjnë në fuqi 30 ditë pas botimit të vendimit në Fletoren Zyrtare, duke i dhënë kohë Kuvendit të organizojë komisionet parlamentare sipas standardeve procedurale të përcaktuara në arsyetimin e vendimit.

Kuvendi kishte miratuar në fillim të kësaj legjislature rritjen e numrit të komisioneve parlamentare nga 8 në 11.

Deputetët e opozitës pretenduan se procedura e ndjekur nga shumica ishte e parregullt.

/gj.m/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›