E Diel, 1 Nëntor 2026

Kërkesa e SPAK për Ballukun, Bardhi: Kuvendi u shndërrua në bunker për të korruptuarit

TIRANË, 23 shkurt /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar në Partinë Demokratike, Gazment Bardhi tha pas mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, se Kuvendi është shndërruar në një “bunker për të korruptuarit”.

Gjatë një prononcimi për mediet, Bardhi tha se Kryeministri kishte urdhëruar pesë anëtarët e mazhoranës në Këshillin e Mandateve që “të behën mburojë politike për të korruptuarën Belinda Balluku”.

Sipas tij pesë anëtarët e mazhorancës në Këshillin e Mandateve vendosën të pengojnë drejtësinë dhe nuk ishin të gatshëm që të votonin pro kërkesës së SPAK.

“Kuvendi është shndërruar në një bunker për të korruptuarit”, tha Bardhi.

Bardhi tha se, gjatë mbledhjes prokurorët njoftuan se pozita ndaj Ballukut është rënduar dhe se janë intimiduar dëshmitarët.

“Në momentin që është kërkuar marrja e masave shtrënguese për Ballukun, rrezikonte një dënim që shkonte deri në 10 vite, sot, tha prokurori, Balluku rrezikon një dënim prej 35 vitesh. Tregon se jemi në një situatë tejet të rënduar sa i takon krimeve të kryera prej saj.

“Prokurorët kanë vendosur në dispozicion provat konkrete sesi Balluku përmes dy formave, siç u shprehën prokurorët, përmes “të fortëve” të cilët po hetohen, kanë kërcënuar me jetë dëshmitarë në çështjen Balluku dhe se dyti, përmes zyrtarëve të lartë publikë, anëtarë të kabinetit të Ballukut, të cilët përmes dy formave, duke kërcënuar se do t’i hiqnin nga puna nëse ato do të dëshmonin kundër Ballukut dhe pasi kishin dështuar me kërcënimin, u kishin ofruar para që të ndryshonin dëshminë”, tha Bardhi,

Sipas Bardhit, prokuroria “konfirmoi se nuk bëhet fjalë vetëm për persona të pandehur të kërcënuar, por edhe për dëshmitarë që do të thirren nga SPAK për shkak të rolit të tyre në procedura, dhe do të duhet të dëshmojnë. Ata janë kontaktuar dhe intimiduar, përmes të fortëve dhe zyrtarëve të lartë publik, të kabinetit të Ballukut”.

Bardhi shtoi gjithashtu se po sipas prokurorëve “hetimet ndaj Ballukut kanë hyrë në një fazë intensive, ku pritet që të ketë sekuestrime të tjera të dokumenteve dhe provave”.

Deputeti demokrat tha gjithashtu se gjatë mbledhjes së Këshillit u faktuar se çështja që ndodhet në Kuvend, nuk ka asnjë lidhje me atë që ishte në Gjykatën Kushtetuese.

/m.q/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›