E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata e Lartë, Topi dekreton 6 kandidatët

 

Brenda tre javësh, Komisioni i Ligjeve duhet të shprehet mbi 6 emrat që dje dekretoi Presidenti i Republikës

TIRANË- Në limitet e afatit kohorë që i përcakton ligji, Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka shpallur dje 6 dekretet për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Pas afro tre javë konsultime me grupin e ekspertëve dhe korrespondencës së shkëmbyer me partitë politike, kreu i shtetit i ka dhënë fund dilemës dhe ka përzgjedhur midis 105 kandidaturave, 6 emrat e rinj për vendet vakante në Gjykatën e Lartë. Andi Çeliku, Arjana Fullani, Aleksandër Muskaj, Evelina Qirjako, Guxim Zenelaj dhe Majlinda Andrea, janë gjyqtarët që numri një i shtetit i ka nisur Kuvendit përsëri për të dhënë pëlqimin, përpara se ata të marrin zyrtarisht detyrën e anëtarit në këtë gjykatë.

Kandidaturat

Presidenti i Republikës i çon për votim Kuvendit emrin e Aleksandër Muskajt, ish-anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, aktualisht gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit Tiranë. Arjana Fullani, gjyqtare për njëmbëdhjetë vjet, aktualisht Drejtore e Shkollës së Magjistraturës prej tetë vjetësh. Andi Çeliku, gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë për 6 vjet, aktualisht avokat prej dhjetë vjetësh. Evelina Qirjako, avokate prej nëntëmbëdhjetë vjetësh. Guxim Zenelaj, gjyqtar për katër vjet, ndihmës ligjor në Gjykatën e Lartë për trembëdhjetë vjet, ish-Avokat Përgjithshëm i Shtetit, aktualisht anëtar i KLD-së dhe Majlinda Andrea, gjyqtare prej gjashtëmbëdhjetë vjetësh në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës. Dekretet e Presidentit publikohen një ditë pasi Kuvendi miratoi me konsensus ndryshimet në Rregulloren e vet, përfshi edhe ndryshimin në nenin 111, ku dhe përcaktohet procedura e re, nëpërmjet së cilës Kuvendi do të japë pëlqimin e vet për secilin propozim.

Miratimi

Me ndryshimin e Rregullores do të jetë përsëri Komisioni i Ligjeve ai që brenda tre javësh duhet të shprehet mbi 6 emrat që tashmë i ka dekretuar Presidenti i Republikës, çka do të thotë që deri më 28 korrik, legjislativi duhet të votojë për të plotësuar vakuumin disamujor në Gjykatën e Lartë, e cila tashmë nuk funksionon për shkak të mungesës së numrit të duhur të gjyqtarëve. Por përpara se të shkojnë për votim dekretet, që në këtë rast mund të përkthehen në emra konkretë gjyqtarësh, do të kalojnë përmes procedurave të reja të përcaktuara rishtazi në rregullore. Kështu, sipas nenin 111, pika 6 e saj, Kuvendi do zhvillojë seanca dëgjimore për secilin kandidat të propozuar, dhe do të marrë natyrisht në shqyrtim dhe plotësimin e kërkesave ligjore që duhet të plotësojë një anëtar i Gjykatës së Lartë. Në rast se gjatë këtij shqyrtimi do të gjejë mangësi ligjore, atëherë komisioni përkatës do të hartojë një relacion, të cilin Kryetarja e Kuvendit do t’ia drejtojë Presidentit të Republikës si propozues i kandidaturave, ku do ta vërë në dijeni atë për problemin e vërejtur. Megjithatë, kjo nuk do të ndalojë më që kandidaturat të kalojnë me patjetër për votim në seancë. Në bazë të përcaktimeve të reja kohore, kandidaturat do të kalojnë për votim brenda datës 28 korrik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›