Spiunët, PD përjashton përfaqësuesit fetarë dhe median
Grupi parlamentar i PD-së vendos që në ditët në vijim të përgatitet një draft i integruar duke pasur parasysh draftin fillestar dhe projektin e deputetit Biberaj
TIRANË- Partia Demokratike pritet që të dalë me një draft të ri për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë. Nga mbledhja e djeshme e grupit parlamentar të PD-së është vendosur që drafti fillestar i PD-së i para dy viteve të integrohet me projektligjin e deputetit Aleksandër Biberaj, si dhe me çdo propozim tjetër që do të vijë nga radhët e PD-së. Edhe pse nuk e kanë shqyrtuar draftin nen për nen, diskutimet e djeshme të deputetëve demokratë, por edhe qëndrimet e kryeministrit Sali Berisha kanë lënë qartë të kuptohen kategoritë që do të jenë subjekt i verifikimit, ndërkohë që nuk janë marrë parasysh dy nga kategoritë që deputeti demokrat Aleksandër Biberaj kishte propozuar. Bëhet fjalë për përfaqësuesit e medias dhe ata të komuniteteve fetare me nënshtetësi shqiptare. Për këtë të fundit, kryeministri Sali Berisha nuk është shprehur drejtpërdrejtë, por gjatë negociatave paraprake, mësohet të ketë kërkuar që kjo kategori të mos përfshihet. Ndërkohë që ka qenë krejt i hapur për të përjashtuar nga procesi i verifikimit, përfaqësuesit e medieve, me argumentin se është një aktivitet privat dhe është e vështirë që të ndërhyhet. Në propozimin e deputetit demokrat Aleksandër Biberaj thuhej ndër të tjera se subjekt i verifikimit do të ishin edhe drejtues, kryeredaktorë dhe redaktorë të mediave audio-vizive, si dhe të medieve të shkruara me një tirazh ditor më të madh se 2000 kopje në ditë. Në ndryshim nga dy ditë më parë, ku kryeministri Berisha ka folur pak dhe krejt i cunguar në qëndrimin e tij, dje ai ka lënë të hapur mundësitë e verifikimit të të gjitha kategorive të tjera, kategori të cilat ishin përfshirë edhe në draftin fillestar të selisë blu. Megjithatë, gjithçka do të shikohet ditët në vijim, atëherë kur propozimet do të shkruhen konkretisht në letër, pasi eksperienca e deritanishme ka treguar se për të njëjtën çështje, demokratët ndryshojnë qëndrim brenda 24 orësh.
Kategoritë
Referuar draftit fillestar të PD-së, por edhe projektit të miratuar nga deputeti demokrat Aleksandër Biberaj, hapja e dosjeve pritet të bëhet për nivelet më të larta të shtetit, duke filluar nga Presidenti i Republikës e duke përfunduar me diplomatët në përfaqësitë tona diplomatike. Kështu, nga diskutimet e djeshme, është rënë dakord në parim që subjekt i verifikimit të jenë: Presidenti i Republikës dhe të dekretuarit nga ana e tij; deputetët e Kuvendit të Shqipërisë si dhe të zgjedhurit nga Kuvendi; anëtarët e Këshillit të Ministrave, zëvendësministrat, sekretarët e përgjithshëm, funksionarët politikë, drejtorët e përgjithshëm dhe drejtorët e drejtorive të dikastereve, si dhe të barazuarit me ta në strukturat e tjera shtetërore; anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë si dhe gjyqtarët e prokurorët e të gjitha niveleve të gjykatave dhe prokurorive; guvernatorë; funksionarë në Forcat e Armatosura, në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë, si dhe oficerët me gradë “Gjeneral” dhe “Kolonel”; Prefektët, kryetarët e këshillave të qarkut, si dhe kryetarët e bashkive dhe komunave; Anëtarët e këshillave të qarkut, si dhe të këshillave bashkiake; funksionarë në Shërbimin Informativ Shtetëror; drejtues të Policisë së Shtetit, si dhe diplomatët në përfaqësitë tona diplomatike.
PD s’bie dakord për Komisionin e Verifikimit
TIRANË- Çështja për të cilën deputetët e grupit parlamentar të PD-së nuk kanë rënë dakord, ka qenë pikërisht organi që do të merret me verifikimin e zyrtarëve të lartë të PD-së. Në draftin zyrtar të PD-së, thuhet se Komisioni i Posaçëm do të përbëhet nga 5 anëtarë, përkatësisht nga Komisioni për Sigurinë, Komisioni për Çështjet Ligjore, Ministri i Brendshëm, Drejtori i SHISH dhe Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave të Shtetit. Ndërsa në projektin e deputetit demokrat Aleksandër Biberaj flitej për ngritjen e Autoritetit të Kontrollit të Figurave, autoritet i cili organizohet dhe funksionon si autoritet i pavarur. Autoriteti, sipas Biberajt, është organ i përhershëm vëzhgimi dhe kontrolli i pastërtisë së figurave të funksionarëve. Sipas tij, ky autoritet duhet të përbëhet nga 5 anëtarë, të cilët propozohen nga: Presidenti i Republikës; Këshilli i Ministrave; Drejtori i Përgjithshëm i SHISH; grupi parlamentar më i madh i maxhorancës dhe grupi parlamentar më i madh i opozitës. Ndërkohë që në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar është hedhur edhe një ide që komisioni të përbëhet nga dy anëtarë të mazhorancës, dy të opozitës dhe kryetari të jetë një kandidaturë konsensuale. Por kryeministri Sali Berisha nuk ka dhënë asnjë përgjigje për secilin prej varianteve, duke bërë që kjo çështje të shikohet në ditët në vijim.
Çdo qytetar gëzon të drejtën që të marrë një certifikatë pranë komisionit ku vërtetohet pastërtia e tij
Propozimi, jo ndëshkim penal për sigurimsat
TIRANË- Në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar të PD-së është rënë parimisht dakord që komisioni apo autoriteti që do të merret me transparencën e dosjeve, do të jetë i detyruar që të pajisë çdo qytetar i cili akuzohet se ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. Për rastet në fjalë, qytetari gëzon të drejtën që të pajiset më një certifikatë, ku të vërtetohet mosqenia e tij si bashkëpunëtor. Po dje është vendosur që për bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit të mos hapen gjyqe, por të mbetet vetëm në kufijtë e bërjes publike të emrave. Komisioni i Verifikimit të Figurës së Zyrtarëve të Lartë do të publikojë në faqen e saj zyrtare informacion për numrin dhe identitetin e personave të verifikuar sipas këtij ligji dhe pozicionet përkatëse që ata kryejnë apo kryenin. Gjithashtu komisioni bën publike në këtë direktori, identitetin e të gjithë zyrtarëve të kualifikuar si të papajtueshëm për të vazhduar detyrën, për të cilët, eprori i institucionit apo organi i emërtesës, nuk ka përfunduar marrëdhënien e punës brenda një afati të caktuar. Është vendosur gjithashtu që kundër vendimit të komisionit, zyrtari apo funksionari, ka të drejtë të paraqesë ankim në Gjykatën e Lartë, brenda një afati të caktuar nga dita e njoftimit të vendimit.
Nuk përfshihen në listën e subjekteve të verifikimit:
Drejtues, kryeredaktorë dhe redaktorë të mediave audio-vizive, si dhe të mediave të shkruara me një tirazh ditor më të madh se 2000 kopje në ditë;
Përfaqësuesit e lartë të komuniteteve fetare me nënshtetësi shqiptare.
Kategoritë që përfshihen në listën e subjekteve të verifikimit:
1Presidenti i Republikës së Shqipërisë dhe të dekretuarit nga Presidenti i Republikës;
2Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë si dhe të zgjedhurit nga Kuvendi;
3Anëtarët e Këshillit të Ministrave, zëvendësministrat, sekretarët e përgjithshëm, funksionarët politikë, drejtorët e përgjithshëm dhe drejtorët e drejtorive të dikastereve, si dhe të barazuarit me ta në strukturat e tjera shtetërore;
4Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, si dhe gjyqtarët e prokurorët e të gjitha niveleve të gjykatave dhe prokurorive;
5Funksionarë të lartë të Presidencës, administratës së Kuvendit, të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të Gjykatës së Lartë, të Gjykatës Kushtetuese, të Prokurorisë së Përgjithshme, sipas rangjeve të caktuara në pikën “c”;
6Guvernatorë, zëvendësguvernatorë dhe drejtorët e Bankës së Shqipërisë;
7Funksionarë në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë, si dhe oficerët me gradë “Gjeneral” dhe “Kolonel”;
8Prefektët, kryetarët e këshillave të qarkut si dhe kryetarët e bashkive dhe komunave;
9Anëtarët e këshillave të qarkut si dhe të këshillave bashkiake;
10Funksionarë në Shërbimin Informativ Shtetëror (SHISH), në Shërbimin Informativ Ushtarak (SHIU) dhe në Shërbimin Informativ të Rendit (SHIR);
11Funksionarë në Gardën e Republikës;
12Drejtues të Policisë së Shtetit, drejtorë dhe shefa policie në nivel Qarku, si dhe në nivel Komisariati;
13Diplomatët në përfaqësitë tona diplomatike.
PD, drejt pranimit të trajtimit të deputetëve spiunë si të gjitha kategoritë e tjera. Modalitet dhe mënyra do të konkretizohen ditët në vijim
Deputetët spiunë, Berisha: Ka qenë një lapsus
TIRANË- Partia Demokratike është drejt tërheqjes së variantit zyrtar, pikërisht të atij neni ku deputetët spiunë përjashtoheshin nga ndërprerja e mandatit, madje gëzonin edhe të drejtën e rikandidimit. “Ka qenë një lapsus”, mësohet të jetë shprehur kryeministri Sali Berisha rreth nenit në fjalë, teksa është ngritur si shqetësim nga deputeti demokrat Aleksandër Biberaj, fakti se pse kjo kategori duhej të përjashtohej nga masat që merren ndaj të gjithë atyre, funksioni i të cilëve është i papajtueshëm me përmbajtjen e këtij ligji. Megjithatë, përpos qëndrimit parimor të kryeministrit Sali Berisha, nuk është diskutuar në detaje rreth nenit në fjalë, edhe pse deklarata e tij, ka lënë shumë për të kuptuar. Në projektin fillestar të PD-së thuhej se në rast se vërtetohet se deputetët kanë figurë të papajtueshme në kuptim të këtij ligji, ata vazhdojnë ushtrimin e mandateve. “Kur sipas një vendimi të formës së prerë, vërtetohet se deputetët, të zgjedhur drejtpërdrejtë nga zgjedhësit kanë figurë të papajtueshme në kuptim të këtij ligji, ata vazhdojnë ushtrimin e mandateve, por komisioni ka detyrimin që të bëjë publike në faqen zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë, vendimin e tij”,- thuhet në paragrafin e parë të nenit 18. Në paragrafin e dytë, të po këtij neni, thuhet gjithashtu se asnjë kandidat për deputet i drejtpërdrejtë, nuk mund të jetë subjekt i verifikimit sipas këtij ligji, pa u shpallur fitues në zgjedhjet parlamentare. Të njëjtën gjë demokratët kanë parashikuar edhe për drejtuesit e bashkive e komunave, ndërkohe që në draftin e përgatitur nga deputeti demokrat Aleksandër Biberaj, ky nen përjashtohet. Pra, deputetët, në rastet kur e parashikon ligji, duhet të dorëhiqen ose mandati i tyre duhet të ndërpritet. Qëndrimi i kryeministrit Berisha se ky nen ka qenë një lapsus, i ka hapur rrugën mundësisë së përfshirjes së kësaj kategorie me të gjitha kategoritë e tjera. Megjithatë, gjithçka pritet të konkretizohet ditët në vijim, qoftë edhe për modalitet që do të ndiqen dhe mënyrën se si do të trajtohet kjo çështje. Në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar nuk janë bërë shumë komente rreth kësaj çështjeje, ndaj dhe gjithçka mbetet e hapur.
N.Perndoj