NATO, Shqipëria dhe Kroacia nënshkruajnë sot protokollin e anëtarësimit
Shqipëria dhe Kroacia kanë nënshkruar sot në Bruksel protokollin e anëtarësimit për në NATO. Paraditen e sotme është zhvilluar asambleja e Atlantikut të Veriut, ku mbajtën fjalën e veçantë, Ministri i Jashtëm Lulëzim Basha dhe Ministri i jashtëm i Kroacisë, Gordan Jandrakovic. Javën e shkuar Tirana përfundoi bisedimet me Aleancën, të cilat pasuan marrjen e ftesës në 3 prill, gjatë takimit të nivelit të lartë në Bukuresht. Akti i sotëm mbyll përpjekjet e Shqipërisë për anëtarësim në gjirin e Aleancës së Atlantikut dhe tashmë mbetet vetëm ratifkimi i protokolleve nga vendet anëtare, që ajo të quhet anëtare me të drejta të plota.Në ndryshim nga proceset e integrimit europian, ratifikimi i protokolleve të anëtarësimit në Nato parashikohet të mbyllen brenda pjesës së parë të vitit të ardhshëm. Kjo sepse në ndryshim nga më parë kur distanca kohore nga një takim në tjetrin është 2 vjet, takimi i radhës është parashikuar në pranverën e 2009 i cili do të shënojë edhe anëtarësimin e plotë të Shqipërisë dhe Kroacisë. Jashtë këtij procesi deri më tani ka mbetur Maqedoia për shkak të problemit ende të pazgjidhur të emrit dhe sa më shumë kohë kalon aq më shumë vështirësohet perspektiva e saj për t'iu bashkuar Shqipërisë dhe Kroacisë me të cilat ka qenë bashkëudhëtare.
Në fjalën e tij Lulëzim Basha ndër të tjera është shprehur se: “Shqipëria ka përmbushur të gjitha detyrimet për tu anëtarësuar në Aleancën e Adriatikut. Shqipëria e pranon të bashkëpunojë me këtë aleancë dhe vazhdon të jetë e gatshme për të përmbushur misionet e Aleancës. Shqipëria ka marrë masa për implementimin e të gjitha detyrimeve dhe do të punojë për konsensusin në Alenacë”.
Ndërkohë ministri i Jashtëm i Kroacisë ka shprehur mirënjohjen për mbështetjn e madhe që vendet e NATO-s i kanë dhënë Kroacisë për tu anëtarësuar në NATO.
“Shpresojmë që Shqipëria dhe Kroacia të jenë sa më shpejt anëtarë të NATO-s. Është një moment historik i Kroacisë, dhe jam i nderuar që jam këtu. Zgjerimi i NATO-s është siguri politike dhe ekonomike për demokracinë”- tha Jandrakovic. “Gjatë këtyre viteve Kroacia ka bërë shumë reforma dhe jemi të lumtur që po anëtarësohemi në NATO. Ne po i bashkohemi komunitetit të shteteve që ndajnë parime të njëta me ne. Anëtarësimi në NATO na ve përballë përgjegjësive të mëdha dhe ne jemi të gatshëm të marrim përsipër angazhimet” – vazhdoi Jandrakovic.
“Ky është kapitulli i fundit për Shqipërinë dhe Kroacinë të cilat kanë arritur reforma mjaft të mëdha në këto kohë”.
Takimin e mbylli sekretari i përgjithshëm Jaap De Hoop Scheffer. Ai ka ftuar Shqipërinë dhe Kroacinë të marrin pjesë për herë të parë në mbledhjen normale të Këshillit të Altantikut, megjithëse pa të drejtë vote. MaqedoniaScheffer: Pa zgjidhje për emrin nuk ka ftesë për anëtarësim në NATO Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Japp de Hoop Scheffer deklaroi se, pa zgjidhjen e emrit Maqedonia nuk mund të nënshkruaj protokollin për anëtarësim në NATO.
“Sipas rezultatit të Samitit të NATO-s në Bukuresht duhet të ketë një zgjidhje me pëlqimin e të gjithëve për çështjen e emrit dhe para se të bëhet kjo, dhe mua më vjen keq që nuk është bërë deri më tani, nuk do të ketë nënshkrim të protokolleve të anëtarësimit”, theksoi Scheffer në një intervist për Televizionin Alsat .
“Samiti i Bukureshti ka qënë mjaft i qarë në lidhje me këtë dhe mua s'më mbetet gjë tjetër vetëm përveç këqardhjes që kjo gjë nuk po ngjet, por, mardhëniet e mira fqinjësore, fqinjësia e mirë, janë elemente të rëndësishëme, siç e dini”- tha Schefer sa i perket çeshtjes ende te pazgjidhur per emrin e Maqedonise.