E Hënë, 2 Nëntor 2026

Gjysmë shekulli me bletët, 76-vjeçari Kujtim Hyseni vazhdon të kujdeset për 200 koshere

Në fshatin Kodër të Tepelenës, një 76-vjeçar vazhdon të ruajë me pasion traditën e bletarisë që nga fëmijëria. Kujtim Hyseni, prej më shumë se gjysmë shekulli, kujdeset për dhjetëra koshere dhe nxjerr mjaltë të cilësisë së lartë, që e shet në tregun vendas.

 Ai e ushtron këtë profesion së bashku me djalin e tij, duke e kthyer bletarinë në një punë familjare, dhe e sheh këtë si një mënyrë për të kaluar traditën tek brezi i ri.

“Bleta kërkon punë dhe unë kam vite që punoj me to. Prodhimi është i shitur i gjithi”, u shpreh bletërritësi.

Problemi më i madh këto vite janë sëmundjet që prekin bletët, për këtë arsye  Shërbimi veterinar duhet të jetë më shumë në terren për të ndihmuar bletërritësit , thotë Hyseni.

“Ilaçet i marrim jashtë shtetit, bletët nëse nuk bëhen me ilaçe zhduken sepse ka shumë sëmundje”, tha ai.

Megjithëse vështirësitë, Kujtim Hyseni mbetet një shembull i përkushtimit dhe dashurisë për natyrën, që mban gjallë traditën e bletarisë në Tepelenë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›