E Hënë, 2 Nëntor 2026

Raundi i dytë i vendoreve në Kosovë, zëdhënësi i KQZ-së: Do të përditësohet lista e zgjedhësve

Lista e votuesve ku do të mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në Kosovë do të përditësohen. 

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, u shpreh për agjencinë e lajmeve KosovaPress se në listë do të përfshihen të rinjtë që mbushën 18 vjeç, si dhe ata që kanë ndërruar jetë pas datës 12 tetor, kur edhe u mbajt raundi i parë.

“Në rrethin e dytë të zgjedhjeve, do të përdoret e njëjta listë votuese e cila është përdorur në raundin e parë, me disa përditësime të kufizuara. Konkretisht, kjo listë do të plotësohet me personat që nga data 13 tetor deri më 9 nëntor arrijnë moshën e votimit. Po ashtu, nga lista do të largohen personat që kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës apo që kanë ndërruar jetë në këtë periudhë. Përtej këtyre ndryshimeve, asnjë përditësim tjetër nuk do të pasqyrohet në këtë listë,” sqaroi Elezi.

Zëdhënësi i KQZs-ë shpjegoi se në listën e votuesve nuk do të përfshihen lëvizjet e qytetarëve nga njëra komunë në tjetrën.

“Lëvizjet e brendshme të qytetarëve ndërmjet komunave nuk përfshihen në këtë përditësim, në këtë fazë të procesit. Kjo do të thotë se qytetarët që kanë ndërruar vendbanimin nga një komunë në një tjetër pas raundit të parë nuk do të mund të votojnë në komunën ku janë zhvendosur, por vetëm në atë ku kanë qenë të regjistruar në listën votuese të raundit të parë. Pra, përditësimi i listës votuese do të reflektojë vetëm këto tri aspekte: përfshirjen e personave që mbushin 18 vjeç deri më 9 nëntor, largimin e personave të vdekur dhe atyre që kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës,” tha Elezi.

Në bazë të rezultateve paraprake, raundi i dytë i zgjedhjeve do të organizohet në 18 komuna. Fushata zgjedhore për këtë raund do të mbahet ndaj data 3 deri në 9 nëntor. Numri i qytetarëve me të drejtë vote në raundin e parë ishte 1.316.129 votues.

Gazetare: Elda Pepa

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›