Goditën oficerët e BKH-së, Prokuroria Fier dërgon për gjykim tre persona

TIRANË, 18 tetor /ATSH/ Prokuroria e Fierit përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq shtetasit K.K., L.K. dhe G.K. për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”.
Prokuroria njoftoi se në përfundim të hetimeve të kryera në bashkëpunim me policinë gjyqësore, u arrit të provohet se, më datë 15.04.2025, punonjësit e policisë pranë Forcës Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, së bashku me oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë shkuar në qytetin e Fierit të planizuar me shërbim, me qëllim kryerjen e veprimeve hetimore.
“Gjatë ditës sipas dinamikës kanë lëvizur në vende të ndryshme në qytetin e Fierit. Po në këtë datë, punonjësit e policisë janë ndjekur dhe më pas ndaluar nga të pandehurit, ku pavarësisht prezantimit të tyre si punonjës policie, të pandehurit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, me veprime aktive kanë ushtruar dhunë fizike ndaj oficerëve të policisë, për shkak të ushtrimit të detyrës së ligjshme të tyre”, njoftoi Prokuroria e Fierit.
Në lidhje me ngjarjen, prokuroria njoftoi se të pandehurit janë arrestuar në flagrancë dhe janë hetuar me masë sigurimi “arrest në burg” dhe “arrest në shtëpi”.
/m.q/j.p/