E Hënë, 2 Nëntor 2026

Lirimi i hapësirave publike, Rama: Pa pushim në çdo rrugë e lagje deri në fund

TIRANË, 18 tetor /ATSH/ Lirimi i hapësirave publike nga ndërtimet e paligjshme po vijon në gjithë territorin e vendit.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot në rrjetet sociale pamje nga ndërhyrjet që po kryhen për lirimin e hapësirave publike dhe çmontimin e strukturave metalike të ngritura pa leje mbi trotuare dhe rrugë publike.

“S’ka pushim jo, në çdo rrugë e lagje dhe deri në fund ”, shkruan Rama, duke iu referuar nismës kombëtare për lirimin e hapësirave publike, e cila ka nisur në muajin korrik 2025.

Nisma është pjesë e operacionit të vazhdueshëm për rivendosjen e rendit urban dhe çlirimin e zonave të zaptuara në mënyrë të paligjshme, me fokus të veçantë në zonat bregdetare dhe ato me rëndësi turistike.

E konceptuar si një ndërhyrje sistematike në terren dhe jo një aksion i përkohshëm, kjo nismë, e cila ka nisur nga zbatimi në muajin korrik, po vijon me prioritet në gjithë territorin e vendit.

Ndërhyrja në terren do të vazhdojë deri në largimin e plotë të të gjitha strukturave pa leje, si pjesë e vizionit të qeverisë “Rilindja Urbane 2.0”.

Në dispozicion të qytetarëve të cilët duan të denoncojnë rastet abuzive është vënë në dispozicion portali “Hapësiraimepublike.gov.al”.

Deri sot në këtë portal janë raportuar 13 931 raste, nga të cilat janë zgjidhur 10 356 raste, ndërsa 3 575 të tjera janë aktualisht në proces shqyrtimi.

/e.xh/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›