Polici i patrullës së përgjithshme nën hetim për kanosje dhe shpërdorim detyre

TIRANË, 18 tetor /ATSH/ Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë) ka referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë materialet procedurale në ngarkim të punonjësit të policisë E. H., me detyrë Patrullë e Përgjithshme në Komisariatin Nr.5.
Polici është i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Kanosja” dhe “Shpërdorim i detyrës”, pas një ngjarjeje të ndodhur mbrëmjen e djeshme në një lokal në Tiranë.
Sipas hetimeve paraprake, E. H. është përfshirë në një konflikt fizik me disa persona, për motive të dobëta. Konflikti ka agravuar, ku më pas punonjësi i policisë ka kanosur me armën e shërbimit personat e përfshirë në përplasjen fizike.
AMP njofton se ka nisur hetimin disiplinor administrativ ndaj punonjësit dhe po vijon me hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Në njoftimin zyrtar, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore rithekson përkushtimin për zbatimin e ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast abuzimi apo shkeljeje nga punonjës të strukturave të rendit, përmes: Numrit të gjelbër: 0800 9090; Email: ankesa@amp.gov.al dhe whatsapp: 069 41 51 511.
e.xh/a.f/
