Goditen raste të armëmbajtjes pa leje në Kukës dhe Durrës

TIRANË, 6 korrik/ATSH/ Policia njoftoi se nga dy operacione në Kukës dhe Durrës ka goditur raste të armëmbajtjes pa leje.
Kështu në Kukës u finalizua nga Komisariati i Policisë Kukës, operacioni policor i koduar “Arka” dhe u arrestua në flagrancë pasi posendonte në banesë, armë zjarri kallashnikov dhe municion luftarak, 53-vjeçari.
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 53-vjeçarit, gjetën 1 armë zjarri automatik dhe municion luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në Durrës, u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi Rr. K., 40 vjeç, banues në Kullë, për mbajtje pa leje të armëve të ftohta.
Operacioni u zhvillua mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative, për një shtetas që dyshohej se shpërndante lëndë narkotike dhe mbante armë zjarri.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin me të cilin udhëtonte personi i dyshuar, në fshatin Kullë, rezultoi se shtetasi S. S. po drejtonte mjetin pa leje drejtimi;
Ndërsa në çantën e shtetasit Rr. K., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një mjet prerës (thikë).
Në vijim të operacionit, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit S. S., në fshatin Kullë, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale:
25 doza lëndë narkotike e dyshuar kokainë, 50 doza lëndë narkotike e dyshuar kanabis, 1 armë zjarri pistoletë me numër serie të pjesshëm (i fshirë pjesërisht), 100 fishekë luftarak të kalibrave të ndryshëm, 1 pasaportë biometrike në emër të një shtetasi tjetër dhe 3 telefona celularë
Arma e zjarrit do të dërgohet për ekzaminim në Institutin e Policisë Shkencore, me qëllim verifikimin nëse është përdorur në ngjarje të mëparshme kriminale.