Goditet grupi që trafikonte vajza nga vendet e Amerikës Latine dhe Azisë në Shqipëri. 8 të arrestuar, 2 në kërkim

Një grup kriminal që rekrutonte vajza nga vendet e Amerikës Latine dhe Azisë dhe i detyronin të ushtronin prostitucion në Shqipëri, është goditur nga autoritet shqiptare dhe ato të huaja.
Arrestimet u kryen pas 8 muajsh hetime, ndërsa operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Tiranë, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë dhe Policinë Kombëtare të Kolumbisë, Policinë kroate, EUROPOL dhe EUROJUST.
Në vendin tonë u ekzekutuan 7 masa sigurie “arrest me burg”, 2 masa “detyrim paraqitje”, 2 persona të tjerë u shpallën në kërkim, ndërsa organizatori është arrestuar në Kolumbi. Po ashtu, janë proceduar penalisht edhe 48 shtetase të huaja, për ushtrim prostitucioni.
Sipas Policisë, shtetasi nga Kolumbia kishte rolin kryesor në rekrutimin e vajzave nga vendet e Amerikës Latine dhe në organizimin e udhëtimit dhe akomodimit të tyre në Shqipëri, ku më pas ato detyroheshin të ushtronin prostitucion.
Në rast refuzimi, ai ushtronte presion dhe kërcënime ndaj vajzave dhe familjarëve të tyre në Kolumbi. Ai bashkëpunonte me të arrestuarit e tjerë në Shqipëri, për sigurimin e kushteve për akomodimin e vajzave dhe menaxhimin e rrjetit të prostitucionit.
Ata kishin përshtatur një hotel në rrugën “Reshit Collaku” në Tiranë, si vend për akomodimin e vajzave dhe shfrytëzimin e tyre për prostitucion, ndërsa të ardhurat e përfituara nga aktiviteti kriminal i transferonin nëpërmjet kriptovalutave në llogaritë e shtetasit kolumbian.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, për hetime të mëtejshme.
/rtsh.al/