E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Goditje për Zhegrovën, Juventusi merr vendimin e papritur për listën europiane

Edon Zhegrova po fiton gjithnjë e më shumë terren te Juventusi. Paraqitjet e fundit kanë bërë që anësori i Kosovës të marrë vëmendjen dhe simpatinë e tifozëve bardhezinj, edhe pse në shumicën e rasteve është aktivizuar nga stoli. Hyrjet e tij në lojë kanë sjellë energji dhe kreativitet në repartin ofensiv, duke u kthyer në një element që i jep më shumë alternativa skuadrës.

Kjo u pa edhe në përballjen ndaj Napolit, ku shpërthimet dhe depërtimet e Zhegrovës ndihmuan Juventusin të gjente rrugën drejt fitores 2-0. Megjithatë, pavarësisht sinjaleve pozitive në fushë, kosovari ka marrë një lajm zhgënjyes nga drejtuesit e klubit.

Pas dëmtimit të kapitenit Manuel Locatelli, Juventusi kishte mundësinë të bënte një ndryshim në listën e UEFA-s për kompeticionet europiane. Në listën fillestare, klubi kishte lënë jashtë pikërisht Zhegrovën, ndaj pritej që kjo situatë të shfrytëzohej për t’i dhënë atij mundësinë të luante edhe në Europë.

Por vendimi i drejtuesve ka qenë ndryshe. Administratori i klubit, Giovanni Carnevali, ka bërë të ditur gjatë një takimi me aksionarët se ndryshimi në listë do të realizohet, por vendin e Locatellit pritet ta zërë Jeff Ekhator, i konsideruar si një investim për të ardhmen.

Reklamë

Në këtë mënyrë, Zhegrova do të vazhdojë të mbetet jashtë listës europiane të Juventusit. Për të parë sulmuesin kosovar në fushë në këtë kompeticion, mundësia mund të vijë vetëm në fazën e dytë të sezonit, në vitin 2027.

Një vendim që vjen në një moment kur Zhegrova po përpiqet të fitojë gjithnjë e më shumë hapësira dhe të dëshmojë se meriton një rol më të rëndësishëm në skuadrën bardhezi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›