UEFA Conference League/ Egnatia luan nesër ndeshjen e tretë ndaj Universitatea Craiova

Egnatia do të luajë nesër ndeshjen e tretë në fazën e ligës së UEFA Conference League, teksa do të përballet me skuadrën rumune të Universitatea Craiova në transfertë. Takimi do të zhvillohet në stadiumin “Ion Oblemenco”, në orën 21:00.
Kampionët e Shqipërisë vijnë në këtë përballje pas një ecurie pozitive, duke treguar nivel edhe në arenën europiane. Në dy ndeshjet e para të fazës së ligës, skuadra e drejtuar nga Nevil Dede ka regjistruar dy barazime, përballë danezëve të Midtjylland dhe Aarhus, duke marrë dy pikë të rëndësishme.
Tashmë, i gjithë fokusi i rrogozhinasve është te sfida e radhës në Rumani, ku Egnatia do të kërkojë të vijojë paraqitjet pozitive në këtë kompeticion dhe të synojë një tjetër rezultat të vlefshëm në rrugëtimin e saj europian.
Përballja me Universitatea Craiova përfaqëson një tjetër provë për kampionët e Shqipërisë, të cilët synojnë të tregojnë edhe një herë vlerat e tyre në këtë edicion të Conference League.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb