Gogu: Amnistia pritet të ulë me 10% numrin e të dënuarve

TIRANË, 8 qershor /ATSH/ Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu prezantoi sot në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike projektligjin “Për dhënie amnistie”.
Gjatë fjalës së tij, Gogu bëri të ditur se aktualisht sistemi penitenciar ka një kapacitet prej 5 292 vendesh, ndërsa janë të akomoduar 4 769 persona.
Sipas tij, pas zbatimit të amnistisë pritet një ulje prej rreth 10% e numrit të të dënuarve në institucionet e vuajtjes së dënimit.
“Sot që flasim në sistemin penitenciar kapaciteti ynë është 5 292 vende, ku janë akomoduar 4 769 persona. Pas amnistisë besoj se do të kemi një ulje prej 10% të popullatës së sistemit penitenciar”, tha ai.
Megjithatë shtoi Gogu, “nuk është ky qëllimi kryesor i ligjit, por është një pasojë shumë e dëshiruar, sepse na jep mundësinë që në momentin që na zvogëlohet numri i të dënuarve të rrisim cilësinë e trajtimit për të gjithë të tjerët”.
Ai theksoi se drejtësia nuk duhet të matet vetëm me aftësinë për të ndëshkuar, por edhe me aftësinë për të vlerësuar momentin kur dënimi e ka përmbushur qëllimin e tij.
“Në këtë kuptim do të doja të theksoja se drejtësia nuk matet nga aftësia për të ndëshkuar, por nga aftësia për të njohur momentin për të dalluar momentin se kur ndëshkimi e ka përmbushur qëllimin e vet”, tha Gogu.
/m.q/r.e/