E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbyllet numërimi për partitë, KQZ: Vetëvendosja ka fituar 42,91% të votave

PRISHTINË, 8 qershor /ATSH/ Ka përfunduar numërimi i të gjitha kutive të votimit në Kosovë për partitë politike, sipas KQZ Kosovë.

Sipas KQZ Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 42,91% të votave (299 152 vota), PDK 21,12% (174 220 vota), LDK 17,58% (122 575 vota), AAK 7,16% (49.917 vota), Lista Serbe 6,19% (43.071 vota).

Pjesëmarrja në votime, sipas KQZ, ka qenë 36,88% (722 842 votues). Ndërkaq pjesëmarrja në zgjedhjet e parakohshme të dhjetorit 2025 ishte 44,99%.

Në këto të dhëna nuk përfshihen votimet me kusht, votimet e personave me nevoja të veçanta dhe votimi jashtë Kosovës.

Pas ditës së zgjedhjeve, në 38 QKN do të zhvillohet procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë. Paraprakisht do të bëhet verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime.

Verifikimi dhe numërimi është planifikuar të fillojë paraditen e së hënës, në QKN-të e 15 komunave: Leposaviq, Novobërdë, Obiliq, Shtime, Shtërpcë, Zubin Potok, Zveçan, Junik, Mamushë, Hani i Elezit, Graçanicë, Ranillug, Partesh, Kllokot, Mitrovicë e Veriut.

Ndërkaq, pasditen e së hënës, në orën 16:00, aktivitetet do të fillojnë në QKN-të e 23 komunave: Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Dragash, Istog, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Prizren, Skenderaj, Suharekë, Ferizaj, Viti, Vushtrri, Malishevë.

Për fillimin e verifikimit/numërimit në të gjitha komunat dhe për të njoftuar për aktivitetet e KQZ-së pas ditës së zgjedhjeve, do të mbahet konferencë për media në orën 16:30, në QKN “1 Tetori” në Prishtinë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›