Protesta për Zvërnecin në ditën e nëntë në kryeqytet

TIRANË, 8 qershor/ATSH/ Protestuesit u mblodhën pasditen e sotme në sheshin “Skënderbej” në ditën e nëntë të protestës kundër investimit të planifikuar në Zvërnec të Vlorës, për të marshuar më pas në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” drejt Kryeministrisë.
Qytetarë, përfaqësues të shoqërisë civile, ambientalistë me pankarta në duar dhe flamuj kuqezi kërkojnë anulimin e projektit me sloganin “Shqipëria nuk është në shitje”.
Edhe ditën e sotme protestuesit përsëritën thirrjen “Shqipëri e re” duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Rama, largimin e Berishës nga drejtimi i opozitës sikundër edhe ndryshime ligjore si kufizimi i mandateve të kryeministrit apo edhe vendime të drejta nga sistemi gjyqësor.
Ende protesta nuk ka kërkesa të mirëfillta, ndërsa grupi koordinues ka vendosur foltoren përpara Kryeministrisë ku fjalën e merr çdo protestues që ka dëshirë por jo më shumë se për tre minuta.
Ditën e sotme në protestë ka pasur edhe përfaqësi të studentëve që me parullën “Nuk i ke larë akoma hesapet me studentët” kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Rama.
“Duam drejtësi” dëgjohet thirrja e protestuesve kryesisht të rinj që më pas nisën marshimin drejt bulevardit.
“Zvërneci në grykë do ju ngeci” ishte thirrja më e fundit që doli në protestë. Po ashtu, protestës iu bashkuan edhe përfaqësues të “Astirit” që sipas një protestuesi rezistoi me muaj të tërë derisa u shit nga Basha.
Grupi koordinues bëri thirrje që të mos preken flamujt e Izraelit të ngritur në bulevard për shkak të Javës Kulturore Izraelite. “Nuk kemi gjë me asnjëri veç dy pushtuesve”, u dëgjua në megafonin e protestës.
Në protestë u luajt dhe himni i flamurit që u këndua në kor nga të pranishmit.
“Opozita jemi ne” ishte thirrja e radhës ndërsa në megafon u tha se do të mbajnë fjalën e tyre pesë personalitete. Grupi koordinues njoftoi se nuk do të kishte fjalime të gjata por një kërkesë të vetme: dorëheqje. Në megafon u tha se në datën 10 qershor do të mbahet protesta mbarëshqiptare me kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Rama.
“Vetëm një emërues të përbashkët kemi, jemi shqiptarë dhe pasardhës të Skënderbeut. Të jemi sa më tolerantë me njeri-tjetrin, nuk kemi gjë me mbështetësit e partive por nuk duam kryetarët e tyre”, u tha në megafon.
Lëvizja sipas grupit koordinues synon çlirimin e energjive të Shqipërisë përmes hapjes së sistemit, spastrimin nga hajdutëria e derisotme.
Po ashtu, në megafon u tha se edhe në qytete të tjera kanë nisur protesta sikundër edhe në qytete të ndryshme të botës. “Mediet më të mëdha të botës janë sensibilizuar me revolucionin e flamingove”, u tha në megafon.
Me referencë tek Lidhja shqiptare e Prizrenit, grupi koordinues thirri protest kombëtare në datën 10 qershor.
Fjalën e para e mori artistja Dojna Mema.
“Jeni shpresa e një Shqipërie të re. Ne nuk heshtim e nuk dorëzohemi dhe nuk luajmë investimesh me të ardhmen tonë”, tha ajo.
Një tjetër protestues vuri theksin tek largimet nga Shqipëria, duke vënë në dukje se ka ardhur koha që largimi i Ramës dhe Berishës të jetë i panegociueshëm.
Sipas tij, kërkohet qeveri tranzitore dhe të mbështesë hetimin e politikanëve, të happen dosjet e Gërdecit, 21 Janarit, Ahmetajt, inceneratorëve, sterilizimit etj. Do të duhet sipas tij, të krijohet Ministria e Diasporës që të adresojë kthimin e shqiptarëve dhe krijimin e kartës së shqiptarit të diasporës.
Një shqiptar i larguar në Londër prej 28 vitesh bëri thirrje për mbështetje. “Ta vijmë këtu në mbështetje për Shqipërinë”, tha ai.
Një aktiviste ambientaliste nga PPNEA tha se kanë muaj që merren me pastrimin dhe po vënë re se nuk po adresohet shfuqizimi i amendimeve të 2024 për zonat e mbrojtura. Ky ligj, sipas saj, po shkatërron zonat e mbrojtura duke renditur projektet në Rrjoll, Pogradec, Butrintit, Divjakë-Karavasta, Patos Fushë Kuqë, Velipojë, Shëngjin dhe dy resorte të tjera që nuk janë të publikuara në Novoselë dhe në Apoloni. Sipas saj, për të ndërtuar këto resorte po grryhen malet e po zbrazin lumenjtë.
Po ashtu, edhe notarja Eva Buzo foli në protestë. “Unë do të bëj çfarë të mundem që shqiptarët te kenë të drejtat e tyre të kenë qeverinë që meritojnë dhe që i dëgjon”, tha ajo.
Folës të tjerë recituan poezi patriotike dhe kërkuan bashkim kombëtar.
Protesta e nëntë për mbrojtjen e Zvërnecit u mbyll me marshimin në bulevard të protestuesve.
Dita e nëntë e protestës për Zvërnecin në Tiranë, foto: Andrin Hoxha 1 nga 36