Gogu: Kontroll më i fortë për substancat me potencial abuzimi

TIRANË, 3 shkurt/ATSH/ Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu u ndal sot gjatë punimeve në Kuvend te diskutimet për projektligjin “Për kontrollin e lëndëve që përdoren për fabrikimin e paligjshëm të lëndëve narkotike dhe psikotrope””.
Gogu tha se ky projektligj i parë për barnat narkotike dhe lëndët psikotrope nuk bën gjë tjetër veçse përditëson listën e tyre në zbatim të disa protokolleve ndërkombëtare.
“Është e vërtetë që dy projektligjet që sjell qeveria sot para jush janë në dukje teknike, por janë thelbësore për shkak se kanë të bëjnë drejtpërsëdrejti me mbylljen e hapësirave të tregut të paligjshëm të barnave narkotike dhe lëndëve psikotrope dhe lidhen drejtpërsëdrejti me shëndetin publik, me sigurinë, me shtetin e së drejtës dhe me standardet ndërkombëtare”, tha Gogu.
“Në thelb, projektligji i parë për barnat narkotike dhe lëndët psikotrope nuk bën gjë tjetër veçse përditëson listën e tyre në zbatim të disa protokolleve ndërkombëtare. Dhe për ta thënë për specialistët e fushës që na ndjekin edhe më qartë, bëhet fjalë për përditësimin që ka bërë Komisioni për Lëndët Narkotike pranë Kombeve të Bashkuara në sesionin e 68-të, në zbatim të rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ku ka përfshirë në këtë listë tre grupe”, vijoi ai.
Gogu nënvizoi se bëhet fjalë për “një kanabinoid gjysmësintetik që është heksahidrokanabinoli dhe që po shfaqet gjithnjë e më shumë si në tregjet komerciale, po ashtu edhe në tregjet e paligjshme. Carisoprodoli është një lëndë tjetër që është relaksues muskujsh, por që me veprim në sistemin nervor qendror ka një potencial abuzimi”.
“Por ky është një nga detyrimet e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe juve”, pohoi Gogu, ndërsa theksoi se me këtë projektligj mbrohet shëndeti publik, baza ligjore për institucionet ligjzbatuese bëhet më e qartë dhe më kontrolluese dhe harmonizohen standardet ndërkombëtare, duke e zhdukur zonën gri.
“Kurse projektligji i dytë, ai për kontrollin e këtyre lëndëve, merret me përkufizimet dhe i qartëson ato mirë dhe siguron forcimin dhe përditësimin e kontrollit ligjor për të mbyllur boshllëqet që krijohen nga prodhimi i këtyre lëndëve narkotike gjithmonë e më shumë në tregun botëror iu përgjigjet këtyre zhvillimeve dhe përputhet plotësisht me standardet e Bashkimit Evropian”, tha ai.
Ministri Gogu pohoi se me këto projektligje po forcohet kontrolli dhe po përditësohen direktivat e Bashkimit Evropian.
/e.i/a.f/r.e/