E Diel, 1 Nëntor 2026

Gogu i përgjigjet Berishës: Arendt e kishte për shtetarë që vranë për të mbrojtur pushtetin

TIRANË, 3 shkurt /ATSh/ Ministri i Shtetit për Parlamentin, Toni Gogu, gjatë diskutimeve sot në seancën plenare, duke iu përgjigjur kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha se opozita devijon nga temat e ditës dhe përdor referenca filozofike që, sipas tij, nuk kanë lidhje me realitetin politik të vendit.

Duke iu referuar filozofes Hannah Arendt, të cilën e përmendi Berisha, ministri theksoi se interpretimi i saj nga opozita është i gabuar, pasi sipas tij, ajo fliste për “shtetarë të cilët, me pushtetin e tyre absolut, vranë për të mbrojtur pushtetin e tyre”.

“Jemi duke folur për lëndët psikotrope dhe barnat narkotike. Dhe në momentin që ju parashtroni një haluçinacion filozofik, mendoj që ne duhet të themi mbrapsht tek receta. Do ishte mahnitur vetë Hannah Arendt po të dëgjonte këtë fjalim, sepse në mendjen e saj kurrë nuk pati ligjvënës që miratojnë ligje të cilët çojnë vendin përpara në integrimin evropian. Pati shtetarë të cilët, me pushtetin e tyre absolut, vranë për të mbrojtur pushtetin e tyre.

“Këtë kishte në mendje Hannah Arendt: shtetarë që absolutizuan pushtetin dhe vranë për ta mbrojtur pushtetin e tyre. Dhe të dilni juve të flisni për banalitetin e së keqes është, besoj, shembulli më i mahnitshëm i banalitetit të përgjegjshmërisë.

“Dhe të keni edhe një kolege, e cila ju del në mbrojtje, do të thotë që ai njëminutëshi i mbylljes së mikrofonit, për të mos dëgjuar më halucinacione politike dhe filozofike në mes të Evropës, është një kumt për të gjithë ata njerëz të cilët presin që opozita të bëjë punën e saj dhe ta çojmë këtë vend përpara, së bashku t’i bashkohet shumicës dhe të anëtarësohemi brenda afatit që kemi marrë përsipër”, tha Gogu.

/m.q/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›