Imuniteti i Ballukut, Berisha: Kuvendi është kthyer në mburojë të krimit

TIRANË, 3 shkurt/ATSh/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij sot në Kuvend, akuzoi mazhorancën për shkelje të Kushtetutës dhe për mbrojtje të hapur të korrupsionit, teksa iu referua shtyrjes së mbledhjes së Këshillit të Mandateve për të miratuar kërkesën e Prokurorisë për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Nga foltorja e Kuvendit, Berisha u shpreh ky vendim përbën një akt grushti shteti dhe e kthen Kuvendin në mburojë të krimit dhe të vjedhjes së fondeve publike.
Kryetari i PD, Sali Berisha iu referua konceptit të “banalitetit të së keqes” të filozofes Hannah Arendt, duke akuzuar deputetët e mazhorancës se po veprojnë pa përgjegjësi morale dhe si zbatues të verbër të urdhrave të kryeministrit Edi Rama.
“E keni të shkruar secili prej jush në ballë. Ja, po të lexoj unë në ballet tuaja, lexoj: e keqja banale, me të cilën ju në mënyrë të verbër mbështesni korrupsionin, bëheni shtylla të sistemit të gjakpirjes së qytetarëve. Njerëz që nuk mendojnë. Automatë që nuk mendojnë. Nuk ndjejnë përgjegjësi. Ju kërkoj të lexoni sa të dilni nga kjo seancë “Banaliteti i së keqes” dhe të shihni se si jeni prototipi i saj”, tha Berisha.
Berisha deklaroi se përdorimi i imunitetit parlamentar për të mbrojtur korrupsionin po rrit revoltën qytetare dhe në përfundim u bëri thirrje shqiptarëve të reagojnë kundër qeverisë.
“A e kuptoni ju se ç’do të thotë të bllokoni imunitetin e një njeriu? A e kuptoni se ç’do të thotë të përdorni imunitetin si mburojë për vjedhjen e shqiptarëve? A mendoni ju se çfarë zemërimi dhe revolte të jashtëzakonshme krijoni tek qytetarët që mezi mbyllin ditën për kafshatën e gojës, që mezi mbyllin muajin, që nuk blejnë dot ilaçet e tyre, që vdesin spitaleve?
“Nuk duhet të vini si automatë këtu. Ky është një akt depersonalizimi. Njerëz që nuk mbani asnjë përgjegjësi ndaj shqiptarëve, ndaj vetes tuaj, ndaj familjeve tuaja. Shqiptarët kërkojnë të zhbllokohet sistemi i drejtësisë”, tha Berisha.
/m.q/r.e/a.f/