Gogu replikë me Korreshin: Integrimi europian nuk është çështje batutash politike

TIRANË, 3 shkurt /ATSH/ Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu gjatë një replike në seancën plenare të Kuvendit pasditen e sotme me deputetin e Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, theksoi se rruga drejt integrimit europian kërkon punë konkrete dhe jo “barcaleta”.
Korreshi deklaroi se Shqipëria është ende larg standardeve të Bashkimit Europian dhe se reformat e shpallura nga qeveria nuk reflektohen në realitetin e qytetarëve, duke përmendur problematika në drejtësi, shëndetësi, arsim dhe infrastrukturë.
Gogu vuri në dukje nga ana e tij, se problemet zgjidhen me punë.
“Baltën e pastron ai që e sheh dhe që është atje për të pastruar baltën, siç pastruam baltën e drejtësisë që ti e shihje dhe i thoje prokurores së përgjithshme ‘lavire rrugësh’ dhe sot vjen dhe na tregon banalitetin e të keqes”, deklaroi ministri.
Sipas tij, progresi i vendit vlerësohet edhe nga partnerët ndërkombëtarë.
“Kur vijmë sot, të gjithë emisarët e Europës sonë thonë se është përparim, progres mbresëlënës. Pse nuk e dinë ata që kanë baltë rrugët e Shqipërisë?”, shtoi ai, duke sjellë si shembull modernizimin e bujqësisë në Divjakë.
Gogu theksoi se integrimi europian nuk është çështje batutash politike.
/gj.m/