E Diel, 1 Nëntor 2026

UASHINGTON – Presidenti kolumbian, Petro takon Trump mes tensioneve në rritje

UASHINGTON, 3 shkurt /ATSH/- Presidenti kolumbian, Gustavo Petro ka udhëtuar sot në Uashington për t’u takuar me presidentin e SHBA-së Donald Trump, takimi i parë ballë për ballë midis dy liderëve pas disa muajsh tensionesh në rritje dhe retorikës së zemëruar, sipas BBC.

Venezuela, trafiku i drogës, nafta, siguria dhe sulmet amerikane ndaj anijeve të dyshuara për drogë do të jenë në krye të axhendës gjatë takimit sot në Shtëpinë e Bardhë.

Ndërsa të dy udhëheqësit ishin të përzemërt gjatë një bisede telefonike pas operacionit ushtarak amerikan të 3 janarit për të arrestuar presidentin e Venezuelës Nicolás Maduro, Petro ka thënë që atëherë se beson se ekziston një “kërcënim real” i veprimeve ushtarake kundër Kolumbisë.

Trump, nga ana e tij, tha më herët se një operacion ushtarak në Kolumbi ishte i mundur.

Takimi Trump-Petro vjen pas disa muajsh shkëmbimi të ashpër të fjalëve të dy udhëheqësve – ndërsa presidenti kolumbian ka kritikuar vazhdimisht sulmet e përsëritura të SHBA-së ndaj anijeve të dyshuara të drogës në Karaibe dhe Paqësor, si dhe politikat e imigracionit të Shtëpisë së Bardhë.

Në një intervistë për BBC muajin e kaluar, Petro shkoi deri aty sa krahasoi agjentët e Imigracionit dhe Doganave të SHBA-së (ICE) me “brigadat naziste” dhe akuzoi SHBA-në se po i trajtonte vendet e tjera si pjesë të “perandorisë” së saj.

Ndërsa Trump ka akuzuar qeverinë e Petros se nuk po bënte mjaftueshëm për të ndaluar rrjedhën e kokainës që shkon në veri dhe është zotuar të zgjerojë sulmet për të goditur objektiva në të gjithë rajonin.

Por ashpërsia duket se u zhduk pas një telefonate “të përzemërt” midis dy udhëheqësve, të cilën një zyrtar kolumbian më vonë e përshkroi si një kthesë 180 gradë “nga të dyja palët”. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›