E Hënë, 2 Nëntor 2026

Gonxhja: Kontrolle në plazhet publike të Durrësit, masa për shkeljet e konstatuara

TIRANË, 16 qershor/ATSH/ Me nisjen e sezonit veror, kontrollet në zonat bregdetare janë intensifikuar për të garantuar përdorimin e rregullt të hapësirave publike dhe respektimin e standardeve të administrimit të plazheve.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja tha sot se “vijojnë inspektimet e vazhdueshme të Agjencisë Kombëtare të Bregdetit përgjatë bregdetit të bashkisë Durrës, me fokus plazhet publike, duke ndërmarrë masa administrative ndaj subjekteve që nuk kanë respektuar detyrimet dhe rregullat për administrimin e hapësirave bregdetare, me qëllim korrigjimin e menjëhershëm të shkeljeve të konstatuara dhe parandalimin e përsëritjes së tyre”.

Sipas tij, kontrolli kryhet në koordinim me njësitë e vetëqeverisjes vendore.

Me këto kontrolle synohet një menaxhim më efikas i plazheve publike, garantim i aksesit të lirë për pushuesit dhe respektimin e standardeve të përcaktuara për sezonin veror.

AKB do të vijojë monitorimin përgjatë vijës bregdetare, me prioritet mbrojtjen e hapësirave publike dhe krijimin e kushteve sa më të mira për qytetarët dhe turistët që zgjedhin bregdetin shqiptar gjatë muajve të verës.

/k.s/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›